Live

Shtyhet rigjykimi ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të informatës zyrtare në tenderin për pastrimin e spitalit

15:00 / 26 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të të akuzuarit Gzim Shala, është shtyrë seanca e rigjykimit, ku ai ngarkohet se si zyrtar përgjegjës i prokurimit i kishte dërguar një operatori informacionet e gjashtë konkurrentëve në garën për një tender pastrimi në Spitalin e Gjilanit.

Kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan, Islam Thaçi ka thënë të enjten se mbrojtësi i Shalës, avokati Mustafë Nuhiu me parashtresë ka kërkuar shtyrjen e seancës dhe e ka bashkëngjitur raportin mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Trupi gjykues mori për bazë kërkesën dhe caktoi seancën për një datë tjetër.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë në janar të këtij viti e pati liruar Shalën nga akuza derisa Apeli e kishte pranuar ankesën e Prokurorisë, duke e kthyer lëndën në rigjykim me arsyetimin se aktgjykimi nuk është i arsyetuar mirë dhe është i përfshirë në shkelje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Gjatë gjykimit të parë, Shala kishte deklaruar se gabimisht ia kishte ngarkuar në USB punëtores së “Aroma Plus” ofertat e operatorëve tjerë.

Gzim Shala akuzohet se më 24 janar 2023 në Gjilan ka keqpërdorur një informacion zyrtar pasi ishte shpallur tenderi prej 756 mijë euro për pastrimin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, ku ofertuan 7 operatorë, përfshirë “Aroma Plus SH.P.K.” Prishtinë. Pas hapjes së ofertave, ai akuzohet se përmes USB-së ia ka dërguar dokumentacionin e gjashtë operatorëve të tjerë menaxherit të “Aroma Plus SH.P.K.”, Skender Krasniqit, duke keqpërdorur kështu informatën zyrtare lidhur me prokurimin.

Shala si zyrtar përgjegjës i prokurimit në Spitalin e Gjilanit akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të informatës zyrtare në procedurat e prokurorit nga neni 416, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë dhe me burgim prej 2 deri në 8 vjet.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...