Live

Dy ndeshje interesante sot në Superligë, vëmendja kryesore te derbi Ballkani-Drita

09:38 / 30 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Xhiro e 15-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll do të vijojë sot me dy ndeshje interesante.

Pa dyshim, kryendeshja e kësaj xhiro është ajo mes dy liderëve Drita e Ballkani.

Kampioni në fuqi, Ballkani do ta mirëpresë në Suharekë skuadrën lidere, me fillim sot nga ora 13:00.

“Bardhekaltrit” janë liderë të tabelës me 31 pikë, pesë më shumë se kundërshtari i tyre i sotëm Ballkani, që ka 26.

Drita nuk di për humbje në Superligë në 12 ndeshjet e fundit, që nga disfata 1-0 në udhëtim te Llapi më 15 shtator (8 fitore, 4 humbje), teksa ajo humbje në Podujevë është e vetmja e tyre këtë sezon deri tani.

Edhe Ballkani ka një rekord të mirë sa i përket ndeshjeve të fundit. “Portokallinjtë” janë pa humbje në tetë ndeshjet e fundit në Superligë (4 fitore, 4 barazime) dhe humbja e tyre e fundit ka ardhur pikërisht ndaj Dritës, e pësuar 1-0 në Gjilan më 22 shtator, shkruan Sinjali Sporti.

Teksa suharekasit do të kërkojnë të i afrohen kreut të tabelës në dy pikë me një fitore potenciale, Drita ndërkohë do të synojë të zgjerojë diferencën e pikëve prej vendit të parë nga vendi i dytë.

Dueli tjetër interesant është ai mes Llapit dhe Ferizajt.

Dy skuadrat i ndanë vetëm një pikë teksa pozicionohen mbi njëra-tjetrën në renditjen tabelare.

Llapjanët ndodhen në vend të 8-të me 16 pikë, kurse ferizajasit me 15 pikë një pozitë më poshtë.

Skuadra nga Podujeva është pa fitore në plot 7 xhirot e fundit në Superligë (4 humbje, 3 barazime), me fitoren e fundit të arritur ndaj Suharekës në shtëpi 3-0 më 27 shtator.

Ferizaj ndërkohë është në një ecuri prej katër ndeshjeve pa fitore (2 barazime, 2 humbje), pasi paraprakisht i fitoi tre ndeshje radhazi.

Edhe ky duel po ashtu fillon nga ora 13:00, në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...