Live

“Do të mbrojmë konsumatorët dhe bizneset tona”, vjen reagimi i parë nga BE-ja pasi Trump u zotua për tarifa prej 25%

09:10 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se administrata e tij së shpejti pritet të vendosë tarifa prej 25 për qind për importet e produkteve nga BE, Komisioni Evropian njoftoi se do të reagojë me vendosmëri dhe menjëherë “kundër pengesave të pajustifikuara për tregtinë e lirë dhe të ndershme”.

“BE do të reagojë me vendosmëri dhe menjëherë kundër pengesave të pajustifikuara ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme, duke përfshirë kur tarifat përdoren për të sfiduar politikat e ligjshme dhe jodiskriminuese”, tha një zëdhënës i Komisionit në përgjigje të një kërkese për koment mbi paralajmërimet e Trumpit, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Komisioni Evropian theksoi se BE-ja gjithmonë do të mbrojë kompanitë, punëtorët dhe konsumatorët evropianë nga tarifat e pajustifikuara.

I pyetur në një mbledhje të kabinetit amerikan nëse kishte vendosur për tarifat për mallrat nga Bashkimi Evropian, Trump u përgjigj se ata kishin marrë një vendim dhe do ta shpallnin shumë shpejt dhe do të ishte 25 për qind, në përgjithësi, për makinat dhe gjithçka tjetër.

Ai gjithashtu deklaroi se BE-ja u themelua “për të dëmtuar SHBA-në”. Në përgjigje, një zëdhënës i Komisionit tha se Bashkimi Evropian është tregu më i madh i lirë në botë dhe ka qenë një ndihmë për Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi theksoi se duke krijuar një treg të vetëm të madh dhe të integruar, “BE ka lehtësuar tregtinë, ka ulur kostot për eksportuesit amerikanë dhe ka harmonizuar standardet dhe rregulloret në 27 vende.”

“Si rezultat, investimet amerikane në Evropë janë shumë fitimprurëse”, shtoi zëdhënësi.

“Evropa qëndron për dialog, çiltërsi dhe reciprocitet. Ne jemi gati për partneritet nëse luani sipas rregullave. Por ne do të mbrojmë edhe konsumatorët dhe bizneset tona në çdo hap. Ata nuk presin asgjë më pak nga ne,” përfundoi zëdhënësi i KE.

Çfarë tha saktësisht Trump për tarifat ndaj Bashkimit Evropian?

“Bashkimi Evropian u krijua për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara, ky është qëllimi i tij kryesor dhe duhet të pranoj se ata kanë qenë shumë të suksesshëm në të”, tha Trump gjatë takimit të tij të parë të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka folur për planet e tij për të vendosur tarifa 25% për importet e makinave dhe mallrave të tjera nga Bashkimi Evropian. Ai theksoi se e shqetësonte suficiti tregtar i BE-së me SHBA-në, duke pretenduar se ishte një shfrytëzim i padrejtë i tregut amerikan.

“Tarifat do të jenë 25%, në përgjithësi, dhe do të zbatohen për makinat dhe të gjitha produktet e tjera”, tha Trump. “Bashkimi Evropian me të vërtetë po përfiton prej nesh”, shtoi Trump. “Ata nuk i pranojnë makinat tona, në thelb nuk i duan produktet tona bujqësore. Ata gjithmonë gjejnë ndonjë arsye pse jo, ndërsa ne i pranojmë të gjitha prodhimet e tyre pa problem”, shtoi ai

Shpërndaje në

U Kopjua