Mbi pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova vazhdon të mbetet pa një Kuvend funksional.
Deri më tani janë regjistruar 48 tentativa të dështuara për zgjedhjen e kreut të Kuvendit. Ndërkohë, nga disa zëra opozitarë është përmendur mundësia që vendi të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare, ndonëse ende nuk ka ndonjë hap konkret për shpërndarjen e Kuvendit.
Megjithatë, një gjë është e qartë: nëse ndodh një skenar i tillë, Kosova do të përballej me dy palë zgjedhje parlamentare brenda të njëjtit vit kalendarik, pikërisht atëherë kur janë të planifikuara edhe zgjedhjet lokale në tetor.
Por, sa reale është mundësia që kjo të ndodhë? Dhe çështja tjetër: a ka kapacitet Kosova, në aspektin financiar, teknik dhe institucional, për të organizuar dy palë zgjedhje të përgjithshme brenda një viti?
Kosto e dyfishtë për ekonominë dhe stabilitetin
Sipas Lulzim Rafunës, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), rreziku ekonomik nga dy palë zgjedhje brenda një viti është serioz dhe shumëdimensional.
“Rreth 8.7 milionë euro janë shpenzuar për zgjedhjet e 9 shkurtit. Por, përveç kostos së drejtpërdrejtë nga buxheti, mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda një viti krijon edhe kosto indirekte për të gjitha palët e përfshira”, tha ai për Klankosova.tv.
Tutje, kreu i OEK-së thekson se kjo do të nënkuptonte pezullim të punës në administratë, mungesë të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, si dhe një fokus politik të orientuar drejt fushatës, e jo reformave.
“Pezullim i punës në administratë, mungesë e shërbimeve cilësore dhe me kohë për qytetaret dhe bizneset, fokus politik i orientuar në fushata, jo në reforma, bizneset ndjejnë një mungesë përkrahjeje nga shteti, kështu kjo ndikon edhe në ngadalësimin e konsumit, uljen e prodhimit, eksportit, etj”.
“Pasiguria politike dhe institucionale dërgon sinjale negative tek investitorët. Kuvendi i pakonstituuar nuk mund të miratojë ligje, marrëveshje ndërkombëtare apo stimuj fiskalë, ndërkohë që projektet e infrastrukturës dhe ndihmat për sektorin privat bllokohen”, shton Rafuna.
Nga ana institucionale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbetet i përqendruar në detyrën aktuale, organizimin e zgjedhjeve lokale të tetorit.
“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përqendruar maksimalisht në organizimin e procesit të zgjedhjeve lokale. Ne nuk komentojmë lidhur me zhvillimet politike”, tha për Klankosova.tv zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai shton se KQZ vepron vetëm mbi bazë të vendimeve zyrtare.
“KQZ është organ i përhershëm kushtetues. Ne fillojmë organizimin e një procesi zgjedhor vetëm pasi të jetë shpallur dhe caktuar data për mbajtjen e tij. Nëse një gjë e tillë kërkohet, do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm”, tha ai.
Rrezik procedural dhe konfuzion për qytetarët
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se, përtej sfidave logjistike dhe financiare, mbajtja e dy palë zgjedhjeve parlamentare në një vit përbën rrezik procedural dhe përfshin një ngarkesë të pashmangshme për institucionet dhe për qytetarët.
“Kosova për vitin 2025 ka pasur të planifikuara dy palë zgjedhje: parlamentaret që u mbajtën në shkurt dhe ato lokale në tetor. Një proces tjetër zgjedhor në këtë periudhë do të ishte një makth logjistik dhe procedural”, tha ai për Klankosova.tv.
Sipas tij, shtypja e fletëvotimeve të ndryshme, mënyrat e ndryshme të votimit dhe fushatat e mbivendosura mund të shkaktojnë konfuzion te votuesit.
“Do të ishte një situatë e paqartë edhe për qytetarët: a janë fushatat për zgjedhjet lokale apo për ato parlamentare? Cilat janë temat që po diskutohen? E gjithë kjo krijon një ambient jo të shëndetshëm për një proces të mirëfilltë demokratik”, deklaroi Cakolli.
Gjykata Kushtetuese, me 26 qershor, vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë nga publikimi i këtij aktgjykimi të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë për media të enjten (17 korrik), tha se nëse palët nuk zgjidhin ngërçin deri në fundjavë, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, në dritë të tentimit për zgjidhjen e bllokadës institucionale, të premten (18 korrik), e para e shtetit zhvilloi një takim me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, PDK e dyta me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9.