Live

Avdyli e mirëpret qëndrimin e Limajt për koalicion me Kurtin: Deklaratë e pjekur politike e një politikani me përvojë

21:09 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Haxhi Avdyli nga Partia Guxo tha se koalicioni i tyre po pret përfundimin dhe çertifikimin e votave për të parë mundësitë e krijimit të qeverisë së re.

“Është çështje ditësh kur do ta kemi rezultatin përfundimtar. Deri me 5 mars dihet çdo gjë se sa mandate kemi. Një është e sigurtë që kryeministri i tanishëm do jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Pas një jave dihet rezultati dhe mundësitë tona ne do të shikojmë se ku jemi me rezultat, jemi shumë afër ta sigurojmë formimin e qeverisë me votat e koalicionit tonë, por të presim deri në përfundimin e procesit”, tha fillimisht Avdyli.

Avdyli tutje komentoi edhe deklaratën e Fatmir Limajt i cili para pak ditësh u shpreh i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që e ftojnë për siç tha ai temat nacionale dhe të mirën e vendit.

Anëtari i Guxo tha se kjo deklaratë e Limajt është deklaratë e një politikani me përvojë dhe me pjekuri të lartë politike.

“Deklarata e tij është deklaratë e pjekur politike, një deklaratë e një politikani me përvojë i cili ka një interes që proceset në Kosovë të ecin dhe të mos bllokohen dhe mendoj që kjo gjuhë dhe kjo frymë e të bërit politikë duhet përshëndetur dhe është e nevojshme për hapat e mëtutjeshëm në Kosovë. Unë mirëpres edhe nga partitë e tjera një gjuhë të tillë edhe nga ish partia ime LDK, mendoj që një gjuhë e tillë i ndihmon situatës politike në vend dhe proceseve që na presin përpara”, përfundoi Avdyli për lajmi.net.

Shpërndaje në

U Kopjua