Live

Azemi: Si duket, Martin Berishaj ua ka bllokuar Kurtit e Rizvanollit strategjinë e energjisë

20:27 / 24 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi ka komentuar skandalin energjetik në të cilën dyshohet që është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Azemi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se të gjitha temat e energjisë duket se kanë një emërues të përbashkët, që sipas tij është Martin Berishaj.

“Si duket, Martini ia ka bllokuar rrugët Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli edhe për aprovimin e strategjisë së energjisë, ashtu siç ia ka bllokuar investimet në energji të ripërtëritshme dhe remontin e kapaciteteve gjeneruese”, ka shkruar Azemi.

Postimi i plotë i Azemit, pa ndërhyrje:

Të gjitha temat e energjisë duket se kanë një emërues të përbashkët- Martin Berishajn!

Lajmi që edhe shkalla e dytë e gjykatës në Slloveni ia ka hedhur poshtë ankesën për shpifje Martin Berishajt i përforcon dyshimet se ai është i përfshirë në skandalin më të madh korruptiv në sektorin e energjisë.

Si duket, Martini ia ka bllokuar rrugët Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli edhe për aprovimin e strategjisë së energjisë, ashtu siç ia ka bllokuar investimet në energji të ripërtëritshme dhe remontin e kapaciteteve gjeneruese.

Kjo qeveri fillimisht e vonoi draftimin e strategjisë së energjisë dhe pastaj u mundua ta kontrabandojë atë me shpejtësi në Kuvend. Tani, qeveria e 51 përqindëshit që ka pushtet të kalojë secilin ligj dhe dokument ku kërkohet shumica e thjeshtë duket se qëllimshëm nuk po e gjen kuorumin e Kuvendit për votimin e kësaj strategjie.

Pra, energjia si potencial zhvillimor po reduktohet në një aferë korruptive dhe në një terr informativ. Kjo qeveri në vend se ta merrte në mbrojtje, do të duhej ta shkarkonte Martinin nga pozita e ambasadorit derisa rasti të hetohet në tërësi nga organet kompetente.

Shpërndaje në

U Kopjua