Live

Biden i gatshëm të flasë me Putinin nëse ai vërtet dëshiron t’i japë fund luftës

23:45 / 01 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se është i gatshëm të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, nëse ai vërtet dëshiron t’i japë fund luftës.

Kjo është deklarata e parë e këtij lloji e presidentit amerikan që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

“Jam i përgatitur të flas me Putinin, nëse njëmend ai ka interes që të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Ai nuk e ka bërë këtë ende”, tha Biden në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, takoi më 14 nëntor në Turqi homologun e tij të inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin, shkruan rel. 

Takimi mes tyre shënon takimin më të lartë ballë për ballë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë, që para se Putini të urdhëronte pushtimin e Ukrainës.

Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua