Live

Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi rikthehet në diskutim

16:24 / 03 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Lideri i demokratëve malazezë, Aleksa Beçiq, në seancën e sotme parlamentare ka thënë se sa i përket Malit të Zi ka përfunduar demarkacioni i kufirit me Kosovën, raporton Novosti.

“Ky parlament e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Kosovën shumë vite më parë, është rënë dakord dhe është ratifikuar. Pastaj kemi pasur një ngërç në anën tjetër dhe kemi pritur Kuvendin e Kosovës dhe pas peripecive është marrë marrëveshja për demarkacionin e kufijve me Malin e Zi. ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Për Malin e Zi, thekson ai, ajo çështje ka përfunduar, sepse marrëveshjet janë ratifikuar në të dy parlamentet.

“Një burrë shteti në Kosovë u përpoq ta hapte çështjen para zgjedhjeve të tyre, të cilës ne iu përgjigjëm qartë. Çështja e kufirit me Kosovën është çështje e përfunduar dhe kjo u vërtetua me votim dhe ratifikim”, përfundoi Beçiq.

Sa ishte në opozitë, kryetari i LVV-së, Albin Kurti kishte kritikuar marrëveshjen, që sipas tij ia ka humbur Kosovës 8.200 hektarë.

“Raporti dhe puna e Komisionit Bulliqi është aktakuzë për regjimin e vjetër (porsa të çlirohet Prokuroria e Shtetit) dhe orientim për korrigjim (porsa të rikthehet qeveria e mirë)”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Marrëveshja me Malin e Zi ishte nënshkruar sipas gjetjeve të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, që udhëhiqej nga Murat Meha.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë, është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy ish-presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Shpërndaje në

U Kopjua