Pas dështimit të seancës së 49-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, që edhe kësaj here nuk solli zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, deputetët e opozitës kanë reaguar ashpër, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe mungesë vullneti për zgjidhje.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se vendi po shkon drejt skadimit të afatit kushtetues pa ndonjë lëvizje konkrete nga shumica.
“Pengmarrja politike e Kuvendit është bërë nga një parti politike, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj. Zgjidhja është në dorën e tyre,” u shpreh Deliu, duke shtuar se ende nuk po shihet ndonjë vullnet politik për dalje nga kriza.
Edhe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, konfirmoi që partia e tij nuk do ta votojë Fatmir Limajn për kryetar Kuvendi, duke e konsideruar si të papranueshëm faktin që, sipas tij, Nisma dhe VV kanë marrëveshje të fshehta që nuk janë bërë publike, shkruan lajmi.net
“Zoti Limaj nuk e ka votën time. Marrëveshjet që bëhen pas shpine me Listën Serbe e të tjerët janë të papranueshme,” tha ai.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për keqpërdorim të së drejtës për të propozuar kryeparlamentarin.
“Këto parti që kemi mbetur në sallë jemi gjenerata e rezistencës dhe e shtetndërtimit. Ata që dolën, e keqpërdorin të drejtën për agjenda antikushtetuese,” deklaroi Behrami.
Ndërkohë, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se do të ketë takim mes liderit të saj, Fatmir Limaj, dhe Albin Kurtit, duke thënë se Nisma ka ofruar bashkëpunim pa kushte dhe është e gatshme për të zgjidhur ngërçin politik.
“Ky është realiteti politik, Nisma dhe lideri Fatmir Limaj e ka kuptuar qysh në fillim dhe e ka zgjatë dorën e bashkëpunimit,” u shpreh ajo.
Reagim pati edhe nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se zgjidhja është në dorën e partisë së parë dhe se ajo duhet të propozojë një kandidat që nuk ka qenë më parë ministër.
“I takon partisë së parë të propozojë dikë nga deputetët e vetë që s’ka qenë ministër. Ndoshta kështu bëhet zgjidhje,” u shpreh Krasniqi.
Në përgjithësi, reagimet pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit pasqyrojnë thellimin e krizës politike dhe mungesën e një konsensusi minimal mes partive, duke e lënë të pasigurt rrugën drejt formimit të institucioneve të reja.