Live

Detaje nga vrasja e 20-vjeçarit në Shkodër: U qëllua në kraharor, autori s’është identifikuar akoma

19:03 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin “Guci e Re” në Shkodër, ku një 20-vjeçar është qëlluar me armë zjarri.

Viktima është identifikuar si Pavlin Preka, i cili u gjet i vdekur në shtëpi nga xhaxhai.

20 vjeçari është qëlluar me pistoletë në kraharor, teksa policia ka gjetur edhe një gëzhojë në vendin e ngjarjes.

Trupi i pajetë i tij u gjet pak metra larg derës dhe raportohet se është qëlluar gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë dhe autori ende nuk është identifikuar.

“Rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”, është gjetur pa shenja jete shtetasi P. P., rreth 20 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë është ngritur një Grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shpërndaje në

U Kopjua