Live

Dikur e quante “personalitet historik”, por tash Mimoza Kusari heziton edhe emrin t’ia përmend Hashim Thaçit

20:20 / 03 Dhjetor 2022

Nga admin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila duket se i ka hyrë seriozisht përpjekjes për rishkruarjen e historisë. Kuptohet, historisë politike personale. Ajo rrallë e përmend kohën kur qeveriste bashkë me Hashim Thaçin, si zëvendëse e tij, pasi ajo periudhë tashmë cilësohet si “epokë e ish-regjimit” nga pushteti i LVV-së, në të cilën po ashtu Kusari-Lila shërben.

Nga ish-zëvendëskryeministre e Hashim Thaçit dhe përgjegjëse për privatizimin e distribucionit të KEK-ut, zonja Kusari-Lila është shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së. “Regjimet” ndryshojnë, nga ai i PDK-së në atë të LVV-së, por e vetmja që mbijeton është Mimoza Kusari-Lila.

Ajo është alternativë e të gjitha partive, duke e simbolizuar më së miri vetë emrin e partisë së saj, “Alternativa për Kosovës”. Kusari-Lila është alternativa e përhershme e politikanëve.

Përpjekja për rishkrimin e historisë nga ana e Kusari-Lilës u vërejt edhe në një postim të së shtunës së 3 dhjetorit. Ajo shkoi në Hagë për të vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por në postimin e saj në Facebook, ajo që ra në sy ishte shmangia që ia bëri emrit të Hashim Thaçit, njërës nga figurave qendrore të UÇK-së dhe politikanit më të pushtetshëm të 20 viteve të fundit.

Në shkrimin e titulluar “Shihemi në Kosovë”, Kusari-Lila e përmend vetëm emrin e Rexhep Selimit, ish-deputetit të LVV-së, që gjatë luftës njihej me nofkën “Dhjetëshi”. Madje ajo shkroi se gjatë vizitës në Hagë “takoi edhe bashkëluftëtarët e Rexhës”, duke mos treguar se saktësisht për kë e kishte fjalën.

Mimoza Kusari-Lila ka preferuar t’i reduktojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e të tjerët në vetëm “bashkëluftëtar të Rexhës”.

“Sot vizitova mikun dhe bashkëpunëtorin tim Rexhep Selimi në Hagë i cili padrejtësisht po mbahen atje bashkë me krerët tjerë të UÇK-së.

Gjatë vizitës takova edhe bashkëluftëtarët e Rexhës tek të cilët pashë unitetin, vullnetin dhe besimin e palëkundur që nga kjo sfidë e vendit tonë të ri, të gjithë do të dalin faqebardhë!” – shkroi zonja Kusari-Lila në profilin e saj.

Ajo tregoi se edhe si u përshëndetën “me Rexhën dhe të tjerët”, shkruan Nacionale.

“Sa e rëndësishme aq edhe e ndjeshme është që kjo histori e re e Kosovës të shkruhet ashtu si e meriton që gjeneratat e reja të kuptojnë vlerën e lirisë dhe sakrificës për shtetin tonë.

Me Rexhën dhe tjerët u përshëndetëm me fjalët, shihemi në Kosovë!” – përfundoi zonja Kusari-Lila.

Një veprim i tillë neveritës i Mimoza Kusarit u kritikuar ashpër në rrjetet sociale dhe në komentet që asaj po i shkojnë në Facebook.

Por krejt ndryshe dikur mendonte zonja Kusari-Lila. Në një intervistë të viteve më parë, ajo e kishte cilësuar Hashim Thaçin si personalitet historik.

“Z.Thaçi e ka një karakteristikë që me bashkëpunëtorët sillet domethënë në formën shumë të kulturuar dhe unë personalisht nuk kam pasë ndonjë përvojë të keqe me të. Do të njihet për rolin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, angazhimin në shpalljen e vendit të pavarur, dihet dhe do të mësohet në histori kush e ka lexu deklaratën e pavarësisë”, theksonte ajo në intervistë.

Krejt fjalë të tjera kishte rezervuar për Kurtin, duke e cilësuar si “surrealist”.

“Surrealist, domethënë diçka për disa procese që nuk lidhen me realitetin, nuk pajtohem me disa prej metodave që aplikon subjekti. Z. Kurti ka shku pak larg me qasjen e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, theksonte ajo në të njëjtën intervistë. 

Shpërndaje në

U Kopjua