Live

Dolan: SHBA-ja duhet t’i inkurajojë katër shtetet mos-njohëse të NATO-s që ta njohin Kosovën

23:40 / 29 Mars 2023

Nga Kosova Live

Profesori dhe studiuesi amerikan, Chris Dolan, shkroi se realiteti është se Serbia as nuk është e interesuar dhe as e nxitur të njohë Kosovën, prandaj Shtetet e Bashkuara, sipas tij, duhet t’i inkurajojnë shtetet e tjera mos-njohjëse që ta njohin Kosovën dhe t’ia zhbllokojnë rrugën drejt NATO-s.

Në një artikull të publikuar të mërkurën në portalin “19fortyfive (1945)”, studiuesi amerikan artikuloi mënyrën se si mund të arrinte Kosova që të dilte nga bllokada ndërkombëtare ku ndodhet. Pra, të merrte njohje nga 4-shtetet mos-njohëse të NATO-s (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia), shkruan Albanian Post.

Pozicioni i Serbisë ndaj Kosovës është e orientuar drejt farsës së ‘dy karrigeve’, përfshirë pozicionin e shtetit serb për luftën e Rusisë në Ukrainë, prandaj studiuesi amerikan theksoi se shtetit serb duhet t’i hiqen të gjitha levat për të mbajtur Kosovën në një “status quo”.

“SHBA-ja mund të luftojë Rusinë dhe Kinën në Ballkanin Perëndimor duke përdorur statusin e saj të privilegjuar në NATO për të inkurajuar 4-shtetet mos-njohëse të NATO-s të njohin Kosovën”, shkroi Dolan, teksa shtoi se një veprim i tillë do të minonte ndikimin malinj ruso-kinez në Evropë.

“Nëse 4-shtetet mos-njohëse të NATO-s do të ndryshonin pozicionin e tyre, Kosova mund të përparonte drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO. Serbia jo-anëtare e NATO-s do të nxitej të heqë dorë nga kundërshtimet e saj ndaj Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet”, argumentoi Dolan.

Dolan kujtoi se presioni i Rusisë ndaj shtetit serb për të mos i zgjidhur mosmarrëveshjet me Kosovën, vjen si rezultat i frikës ruse se normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja formale do të zbusnin ndjeshëm përpjekjet e saj të vazhdueshme për të minuar stabilitetin në rajon.

“Rusia kundërshton një zgjidhje, sepse tensioni dhe paqëndrueshmëria midis Kosovës dhe Serbisë i lejon Kremlinit të maksimizojë ndikimin e tij keqdashës në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Dolan.

SHBA-ja dhe aleatët e saj megjithatë, sipas profesorit amerikan, nuk mund t’i bëjnë të gjitha “punët e rënda”, pasi që edhe kryeministri Albin Kurti duhet t’i përmbushë premtimet elektorale për çrrënjosjen e korrupsionit në institucione, mbrojtjen e së drejtave të serbëve dhe objekteve kulturore në Kosovë.

“Indekset e fundit tregojnë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmirësimin e transparencës dhe luftimin e korrupsionit. Po kështu, qeveria serbe duhet të mbrojë komunitetet shqiptare brenda Serbisë duke rritur të drejtat pronësore dhe duke lejuar zhvillimin e strukturave shqiptare”, nënvizoi Dolan.

Shpërndaje në

U Kopjua