Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian, ka thënë ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot.
Diplomati francez tha se marrëveshja e shkurtit 2023 ka potencialin “për të qenë pikëkthese” në historikun e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se “duhet të zbatohet”.
“BE-ja konsideron se të dyja vendet janë zotuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dhe ne konsiderojmë se është detyruese, andaj kjo merret parasysh edhe në marrëdhëniet e BE-së me Kosovën edhe me Serbinë”, tha Guerot në Info Magazine.
Ambasadori francez tha se draft-statuti i propozuar nga BE-ja për Asociacionin duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse theksoi se është i vetëdijshëm për frikën që ka ngritur çështja e Asociacionit.
“Ne e kemi thënë shumë herë se duam që Kosova të jetë shtet plotësisht funksional. Kemi qenë instrumental më 1998, 1999 dhe 2000, donim që edhe Kosova të jetë funksionale”.
Arsyeja pse BE-ja e ka propozuar draftin e statutit për Asociacionin, Guerot tha se është fakti se askush nuk po bënte propozime.
“Konsideroj se dërgimi i këtij draft-statuti në Kushtetuese do të ishte hap shumë i rëndësishëm”.
Asociacioni, tha ai, “do të jetë kusht” edhe për BE, e jo vetëm për KiE.
Nga Kosova, tha ai, pritet themelimi i Asociacionit dhe se hapi i parë në këtë drejtim është dërgimi i draftit në gjykatë.