Live

Ëndrra e bukur zvicerane “Orenda” kthehet në makth për të moshuarit e kësaj shtëpie

18:41 / 02 Nëntor 2022

Nga admin

Një e moshuar është rrahur nga një infermiere në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, derisa koleget e saj nuk tentonin as ta ndalnin, por vetëm e incizonin duke qeshur dhunën që ushtrohej ndaj të moshuarës.

Por, më tragjike në këtë rast është se ajo është nëna e dëshmorit të UÇK-së, Taulant Nura, nga Gjakova.

Infermieria Aurona Pelaj, e cila me banim është nga Novosella e Pejës ka disa muaj që kishte filluar punënë në këtë qendër, shkruan Kosovalive.net.

Menjëherë pas publikimt të lajmit, janë arrestuar dy të dyshuarat në këtë rast Aurona Pelaj dhe A.R., me dyshimin se kanë kryer veprën penale të sulmin dhe respektivisht dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale të sulmit.

Kush janë pronarët e shtëpisë së të Moshuarve në Pejë “Orenda”:

Kosovalive.net, ka gjetur se Shtëpia e të Moshuarve në Pejë “Orenda” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), në vitin 2016, biznes ky me kapital prej 200 mijë euro.

Pronar të këtij biznesi janë Anton Rasaj dhe Besmir Ahmetaj si drejtor të kësaj shtëpie ndërsa Esmira Kukaj si përfaqësuese e autorizuar sipas ligjit dhe statutit.

Ndërkaq, faqja në Facebook e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë “Orenda” është e mbushur me postime. Po t’i shikosh këto postime, duket se gjithçka brenda kësaj qendre funksionon për mrekulli. Por, video që u publikua sot, ku shihet një infermiere duke e rrahur një të moshuar dhe xhirohet nga koleget e saj, e dëshmon të kundërtën.

Në këtë faqe në Facebook, janë të publikuara fotografi e video të aktiviteteve që realizohen me të moshuarit.

Njëri nga pronarët e shtëpisë së moshuarve në Pejë “Orenda”, e cila ishte prezantuar si shtëpi me standarde evropiane e dëshmoi të kundërten videoja që u publikua sot, ku në rrjetet sociale “Orenda” ishte “parajsë” e pleqve, por në realitet ata torturoheshin.

Pronari Anton Rasaj, ka thënë se nuk di si ta përshkruajë me fjalë se si është ndjerë kur sot i ka parë pamjet e infermieres që ka ushtruar dhunë fizikë ndaj një të moshuare atje.

Në reagimin e tij për media, ai ka deklaruar se i siguron të gjithë që do të ndërmarrim çdo veprim dhe masë të nevojshme, po ashtu u ka bërë thirrje edhe organeve të drejtësisë që të bëjnë punën e tyre dhe të japin dënimin që duhet.

“Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot na ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinjatë. Nuk kam fjale ta përshkruaj se si jam ndjerë kur e kam parë sjelljen e infermiereve.Ju njoftoj se pa asnjë hamendje, menjëherë i kam larguar nga puna personelin në fjalë, kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, e për dëmin e shkaktuar nga ato do t’i ndjekin përgjegjësit në procedura tjera ligjore po ashtu”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu i ka ftuar organet e drejtësisë të merren me këtë rast.

“I ftoj organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre me efikasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar! I sigurojmë familjet dhe gjithë Ju se do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm! E përsëris, më vjen shumë keq, e di që ky njoftim nuk ju heq dhimbjen secilit nga Ju, posaçërisht familjes së zonjës së respektuar, por Ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në mundësinë tonë!, ka thënë Rasaj.

Pas rrahjes së të moshuarës në Shtëpinë e Pleqëve në Pejë, që nxiti reagime të shumta duke dënuar pamjet e tmerrshme, ka reaguar edhe ish-menaxherja e këtij institucioni, Viola Sahatçiu.

Në llogarinë e saj në Facebook, Sahatçiu shkruajti se arsyeja e largimit të saj nga pozita e menaxheres ishte pikërisht joprofesionalizmi i kësaj qendre, duke shtuar kjo shtëpi duhet të mbyllet sa më parë.

“Arsyeja pse po reagoj është se pashë lajmin se ‘Orenda’ do të dal dhe të mbaj konferencë për media për tu distancuar nga sjellja e punonjësve të tyre. E mua kjo mu duk shumë absurde pasi aty ka edhe kamera. Ajo qendër është një ëndërr e bukur zvicërane me realitetin e hidhur shqiptar e cila duhet të mbyllet sa më parë!”, kishte shkruar ajo në Facebook, postim që është fshirë para disa minutave./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua