Live

“Fake News, çrregullimet informative në epokën digjitale”- libri që trajton probleme të përditshme të çdo lexuesi

19:25 / 07 Janar 2023

Nga Kosova Live

Në periudhën kur kemi shumë opsione dhe burime informacioni shanset që të përballemi me informacione të pasakta janë të mëdha. Libri i fundit”Fake News, çrregullimi informativ në epokën digjitale”, i autorit Dren Gërguri, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” trajton këtë tematikë dhe me vete ndërsjell shumë informacione rreth këtyre situatave

Ditëve të sotme na shoqërojnë shumë mënyra dhe forma që na shërbejnë të qasemi dhe të kërkojmë informacionet që na duhen dhe të njëjtat t’i përvetësojmë. Por këto “urëlidhëse” mes neve dhe informacioneve jo çdo herë japin informacione të sakta dhe si pasojë e mos-verifikimit biem pre e dezinformimit.

Gjasat që të ballafaqohemi me këto situata janë ende më të mëdha kur jetojmë në një periudhë kur teknologjia është zhvilluar dhe mund të cilësohet si “epoka digjitale”. Prandaj është shumë e nevojshme të njoftohemi me çdo lloj materiali që jep mundësi informimi që të mos përballemi me situata të tilla.

Libri më i fundit që trajton këtë tematikë është libri i ligjëruesit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Dren Gërguri, “Fake News, çrregullimet informative në epokën digjitale”.

Ky libër ishte në Panarin e Librit në Tiranë, në stendën e Shtëpisë Botuese Dukagjini.

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, ligjëruesi njëherit autori Dren Gërguri ka thënë se ky libër trajton çështje dhe probleme të përditshme të çdo lexuesi dhe se shtjellimi i manipulimeve të reja si rezultat i zhvillimeve të hovshme teknologjike kanë bërë që përmbajtja e këtij libri të jetë e përshtatshme për çdo lexues, pa dallim.

Autori i librit “Fake News, çrregullimet informative në epokën digjitale”, profesori i Gazetarisë në Univeristetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Dren Gërguri.

“Libri është i organizuar në katër pjesë. Pjesa e parë prezanton fenomenin e çrregullimit informativ, si dhe shpjegon pse termi “fake news” duhet të zëvëndësohet me termet përkatëse, varësisht nga mënyra dhe lloji i informimit. Pjesa e dytë zbërthen dezinformimin që targeton Kosovën”, ka thënë Gërguri.

Gërguri ka shtuar se në pjesën e tretë të librit fokusi është te pandemia dhe dezinformatat që e shoqëruan pandeminë COVID-19 gjatë viteve.

“Pjesa e katërt merret me një nga zgjedhjet më gjithëpërfshirëse të çrregullimit informativ, atë të edukimit medial, si dhe të sfidave të Kosovës në shtrirjen e edukimit medial në shoqëri”, ka thënë Gërguri.

I pyetur se sa është i përhapur çrregullimi informativ në këtë periudhë dhe si trajtohet kjo tematikë në librin “Fake News, çrregullimi informativ në pokën digjitale”, Gërguri ka potencuar se çrregullimi informativ është shumë i përhapur në tërë botën, prandaj sipas tij është një nga temat më të rëndësishme në këtë epokë.

“Kjo trajtohet në të gjitha pjesët e librit, duke filluar nga zbërthimi i termit “çrregullimi informativ”, llojet e tij dhe mënyrën se si shoqëria duhet të jetë më e përgatitur për t’u përballë me këto çrregullime”, ka shtuar tutje Gërguri.

Libri “Fake News, çrregullimet informative në epokën digjitale” në stendën Shtëpisë Botuese Dukagjini.

Ligjeruesi i gazetarisë ka theksuar se nëse duam “t’i shmangim gabimet e të kaluarës e të sotmes” duhet të ndryshojmë mënyrën se si e marrim informacionin dhe, të fillojmë të përfitojmë nga baza e njohurive të krijuara nga studiuesit e fushës.

“Edhe në këtë libër, por edhe në shkrimet e mia të mëhershme publicistike kam prezantuar modelin tre hapësh që i shërben secilit në ballafaqim me informacionet. Ky libër përmban tre pyetje që ndërlidhen me autorin, relevancën dhe burimin e informacionit”, ka thënë tutje autori i librit.

“Epoka digjitale ka ndikuar në rritje të çrregullimeve informative sepse ka lehtësuar shpërndarjen e informacioneve, duke e përfshirë dhe të atyre që nuk janë të vërteta”, ka thënë Gërguri.

“Në këtë epokë kanë lindur mediet sociale, të cilat kanë mundësuar që secili të jetë prodhues i informacionit dhe që, njëkohësisht të qarkullojnë edhe shumë informacione të paverifikuara”, ka deklaruar tutje autori i librit.

Gërguri ka thënë se gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm me informacionet që publikojnë, sepse sipas tij tema e veriut është temë e ndjeshme dhe se pasaktësia e informacioneve mund të nxisë reagime të ndryshme tek qytetarët.

“Marrë parasysh që temat e manipulimit janë të lloj-llojshme, atëherë gazetarët duhet të demaskojnë pseudogazetarët dhe pseudomediet që luajnë rolin e ‘autoparlantit’ propagandistik. Madje, gazetarët duhet të jenë ‘gatekeepers’ të informacionit të vërtetë dhe duhet të përmbushin misionin e mbajtjes së mirëinformuar të shoqërisë”, ka potencuar tutje Gërguri.

Se sa e ka krijuar shoqëria jonë sensin e verifikimit të informacioneve, autori i librit “Fake News, çrregullimet informative në epokën digjitale”, ka thënë se një pjesë e shoqërisë nuk e ka zhvilluar mjaftueshëm këtë sens. Sipas tij, kjo ndikon në mënyrën se si shoqëria informohet.

“Mungesa e aftësisë tek shoqëria jonë për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale e bën atë shoqëri të çarmatosur përballë dezinformatave”, ka përfunduar autori i librit “Fake News, çrregullimet informative në epokën digjitale”, Dren Gërguri.

Shpërndaje në

U Kopjua