Live

FC Prishtina kritikon “Plisat”: Klubi u ndje i tradhëtuar

15:27 / 07 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, ‘’Plisat’’ u shfaqën me një mesazh për kryesin e klubeve ku shkruante ‘’Armiku i klubit është vet kryesia’’.

Klubi ka reaguar në lidhje me këtë përmes një deklarate.

Duke thënë se tifozët nuk përkrahen për asnjë minutë djemtë e ekipit, por as nuk qëndruan për t’i përshëndetur futbollistët e për t’iu gëzuar triumfit duke thënë se ata e kanë harruar qëllimin dhe se për çka shërbejnë.

Deklarata e plotë:

Të dashur adhurues të shumtë të klubit, duam të iu drejtohemi me këtë letër publike për t’ju sqaruar ngjarjet gjatë finales së Kupës së Republikës.

Për Prishtinën, suksesi ishte jetik. Fatkeqësisht, tifozët tanë në tribunën jugore, jo që nuk përkrahen për asnjë minutë djemtë e ekipit, por ata as nuk qëndruar për t’i përshëndetur futbollistët apo për t’iu gëzuar triumfit. Kjo do të duhej të ishte primare për një grup tifozësh, nëse vetëm kanë harruar qëllimin për çka shërbejnë. Iu kemi dalë në ndihmë duke iu blerë bileta dhe duke iu financuar fishekzjarrët dhe koreografinë, por klubi u ndje i tradhëtuar.

Edhe sikur të donim të kuptonim reagimin e tyre prej tifozerisë, dje u thye çdo kodeks mirëbesimi, besnikërie dhe tifozerie. Nuk mbahet në mend një ngjarje sportive, e aq më pak finale, që një grup tifozësh mos ta përkrah skuadrën qoftë edhe për një minutë të vetëm. E tërë koha kaloi në sharje dhe ofendime.

Paraprakisht kishim paralajmërime dhe njohuri që e njëjta do të ndodhte dhe për ironi kjo u paralajmërua nga një aksionar aktual i klubit në televizion. Natyrisht, ky aksionar ka harruar ndërkohë që është pjesë e klubit, edhe sepse aktualisht paguhet nga FFK dhe i njëjti për 18 vite sa është aksionar jo vetëm që nuk ka kontribuar asnjë cent në arkën e klubit, por nuk e mban mend askush të ketë blerë një biletë të vetme për të parë ndonjë ndeshje futbolli në “Fadil Vokrri”.

Ne si klub, me shkas nuk vendosëm të reagonim para ndeshjes, duke mos dashur të besojmë se një gjë e tillë do të ndodhte. Megjithatë ndodhi dhe atë në formën më brutale të mundshme.

Tentimi i fajësimit të krerëve të klubit tonë, të cilët me të mirat dhe të këqijat e tyre, e që nga viti 2005 kur është privatizuar klubi, i ka sjellë skuadrës pesë tituj kampioni dhe pesë trofe të Kupës së Republikë, duke mbajtur klubin gjallë duke e bërë klubin më të suksesshëm në vend, mund të vinte vetëm nga pala e tretë.

FC Prishtina nuk mban mend të ketë parë reagime të tilla kur është dëmtuar në formën më të vrazhdë nga referimet gjatë kampionatit. Gjithashtu nuk kemi parë reagime kur arrestohen e intervistohen për dyshime keqpërdorimi të fondeve njerëzit që duhet ta promovojnë sportin dhe t’i drejtonin ato fonde në zhvillim të sportit. Nuk kemi parë reagime e veprime kur caktohet i njëjti gjyqtar në 70% të ndeshjeve të një skuadre. Nuk kemi parë reagime kur brenda organizatës që është përgjegjëse për zhvillimin e futbollit, mbretëron nepotizmi dhe injoranca ekstreme. Nuk kemi parë reagime kur në mes të kampionatit një skuadre i jepen shuma të konsiderueshme të parave, kurse tjerave jo, përkundër faktit se shumica e klubeve janë në gjendje të ngjashme financiare. Nuk është reaguar kur për shkak të neglizhencës, inkompetencës e fudullëkut te zyrtareve të FFK-së klubet mbesin pa sponsorizime për gjysmë sezoni duke i sjellë buzë kolapsit. FC Prishtina ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar financiarisht nga moslicencimi i FFK-së me faj kryesor të vetë akterëve të FFK-së. Kemi humbur qindra mijëra euro nga papërgjegjësia e individëve që parimore do të duhej të kishim shërbimin ndaj futbollit. Mirëpo reagohet kundër atyre që kanë dhënë milionat nga paratë e tyre personale për të mbajt klubet.

Paradoksi është se të tilla veprime nxiten e ndoshta edhe financohen ( nga paraja publike) nga eksponent të futbollit të cilët të vetmin objektiv kanë përfitimet personale në afat sa më të shkurt e në kurriz të integritetit, zhvillimit të sportit dhe investitorëve të cilët i mbajnë klubet gjallë.

Të dashur adhurues, nuk është vështirë as Ju ta gjeni. Shihni se cilat skuadra kanë përfituar këtë edicion, kush i ka licencuar dhe kush qëndron fuqishëm pas tyre. Tentimi i baltosjës së krerëve të klubit tonë, tërësisht shërben që t’i mbulojnë bëmat e tyre të shëmtuara në favor të ndonjë klubi tjetër dhe interesave të ngushta të tyre.

Edhe vetë caktimi i ndeshjes për ditën e hënë, ditë e pazakonshme për një finale kupe, edhe bllokimi, mbase i qëllimshëm i shitjes së biletave, tentimet për përçarje të grupit tonë të adhuruesve, edhe moslicencimi i skuadrës, me parime të njëjta ashtu siç janë licencuar edhe Dukagjini, Llapi dhe Gjilani, janë vepra të aktorëve të njëjtë që fshihen nën ombrellën e FFK-së.

Shihni reagimet e tyre të pas ndeshjes, se kë e lavdërojnë, kë e qojnë në qiell dhe kë e fajësojnë.

Si ju merr mendja, po të fyhej për 100 minuta ndeshje, shembull, Agim Ademi, a do të merrnin paralajmërim tifozët? A do të ndërpritej ndeshja? A do të zbrazej tribuna?

Pra, tentimi për të baltosur krerët e klubit tonë e dimë nga vijnë. Shumica e tifozerisë sonë mund mos ta dinë, por akterët kryesor të tyre, sigurt e dinë!

Ne duam të ju njoftojmë që klubi ka dërguar ankesën për licencim në KAS të KOK-ut.

Siç e dini, FC Prishtina është klubi i parë i licencuar në Ministrinë e Sportit, por të njëjtat kritere sipas FFK-së ne nuk i plotësuakam për të garuar në Evropë. Për ne nuk vlejnë rregullat e njëjta ashtu siç vlejnë për klubet tjera.

Këto metoda i kemi parë edhe më herët, ia kemi dalë atëherë, do t’ia dalim edhe tani. Por, të bashkuar do t’ia dalim edhe më lehtë. Andaj, skuadrës sonë, i duhet përkrahja juaj më shumë se kurrë më parë. Kemi fituar Kupën e Republikës, e cila na mundëson të luftojmë për të drejtën tonë për ta përfaqësuar vendin në garat e UEFA-së. Dhe nga kjo nuk do të heqim dorë lehtë.

Klubi i futbollit Prishtina është subjekti më i besuar tek sponsorët e shumtë në mbarë vendin. Ky besim është arritur me punë dhe me korrektësi. Ky bashkëpunim me biznesin në vazhdim do të jetë edhe më u fuqishëm. Me adhuruesit tanë të shumtë, me sponsorët tanë besnik, së bashku do të jemi edhe më të fortë.

FC PRISHTINA

7 qershor, 2023

Shpërndaje në

U Kopjua