Live

Komisioni për Buxhet shqyrton sot emrat për guvernator të BQK-së

08:07 / 27 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen që do të mbajë sot, e hënë, do të shqyrtojë listën e kandidatëve për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Paneli për përzgjedhjen e guvernatorit të ri kishte intervistuar më 25 janar 2023 kandidatët dhe në fillim të shkurtit, emrat e 4 prej tyre i kishte dërguar në Qeveri dhe Kuvend.

Sipas BQK-së, pas përfundimit të veprimeve procedurale, kandidatët e vlerësuar më së miri janë: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.

Nga paneli intervistues, Ismaili ishte vlerësuar me 35.3 pikë nga 40 pikët maksimale, ndjekur nga Kryeziu me 34 pikë; zëvendësguvernatori aktual, Ismajli, ka marrë 33 pikë dhe Himaj është vlerësuar me 26 pikë.

Guvernatori do të zgjidhet për një mandat pesëvjeçar dhe pritet të fillojë punën më 29 mars 2023.

Në bazë të Ligjit për BQK-në, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

“Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.

Në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, BQK-ja udhëhiqet nga Fehmi Mehmeti, i cili e kishte marrë detyrën në mars 2018.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere mbahet nga ora 13:30 (në sallën C203).

Shqyrtimi i listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është si pika e gjashtë, ndërsa në rend të ditës janë edhe:

3.Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin nr.08/L-172 për Sigurinë e përgjithshme të produkteve;

  1. Miratimi i planit të performacës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023;
  2. Shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Shpërndaje në

U Kopjua