Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në kohë rekord kanë sanuar në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc.
Kurti gjithashtu ka pohuar se çfarëdo sfide tejkalohet së bashku.
“Punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc. Çfarëdo sfide e tejkalojmë bashkë, e edhe ky sulm veçse shfaqi frymën e fuqishme të bashkëpunimit, kontributit e angazhimit të institucioneve tona”, ka pohuar ai.
Mbrëmë në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ndodhiu një shpërthim i fuqishëm ku dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nga vendi ku ndodhi shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, tha se sipas ekspertëve është përdorur diku rreth 15 kilogramë eksploziv.
Ministri e ka quajtur aktin terrorist, ku u dëmtua seriozisht një pjesë e kanalit të Ibër- Lepencit.
“Si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të Policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv,” deklaroi Sveçla.
Kurse, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot në orët e mëngjesit ka bërë të ditur se pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve tona, është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, por sipas saj nga akti terrorist i shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit është ndikuar furnizimi me ujë.
Rizvanolli në një postim në Facebook thotë se qytetarët të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.
“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tha ajo.