Live

Kushëriri dyshohet se e vrau, e dogji dhe e groposi Bekim Varin nga Ferizaj

19:59 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

”Unë jam nis për Gjermani”. Ky mesazh i shkoi nipit Leonit, nga telefoni i xhaxhait të tij Bekim Varit, më 23 janar të 2025-ës.

Madje ky lajmërim, ishte i fundit pas daljes së 38-vjeçarit nga shtëpia e tij në Pleshinë të Ulët të Ferizajt, pasditën e 22 janarit.

Prej aty familjarët nuk dëgjuan më për të.

Thirrjeve telefonike e mesazheve të tyre, Bekimi nuk u përgjigjej. Ndaj dhe pas një jave, më 29 janar ata e raportuan të zhdukur.

Sipas burimeve të Kiks Kosova, atë ditë kur doli nga shtëpia, Bekimi i njohur si “Bekim Kashtanjeva” e herë edhe si “Llapa” kishte veshur rroba ushtrie, çizme e çantë ushtarake, ndërkaq me vete kishte edhe një bateri të kokës e thikë të madhe.

Në këtë mënyrë ishte përgatitur mirë për t’u nisur në mal, te stani i njohur si “Villa e Shukri Mujës”, aty ku do ta kalonte natën e 22 janarit bashkë me kusheririn, L.F.

Burimet i thanë Kiksit se fillimisht, i dyshuari i njohur me nofkën “Tamuz” e kishte mohuar se më 22 janar kishin qëndruar së bashku me Varin te villa.

Por duket që ngjarja të ketë rrjedhur krejt ndryshe.

Edhe mesazhi i shkruar, se ishte nisur drejt Gjermanisë, dyshohet se s’ishte shkruar nga dora e tij.

Antenat e valëve telefonike e zbuluan se viktima dhe i dyshuari kishin qenë në të njëjtin lokacion deri më 23 janar, atëherë kur përfundoi edhe sinjali i telefonit të viktimës.

Madje edhe bashkëfshatarët i kishin parë të dy duke ecur nëpër mal.

Andaj nga dëshmitar, 27 vjeçari u mor në stacionin policor si i dyshuari kryesor për vrasjen makabre të Bekim Varit.

Fotografia e “Bekim Kashtanjevës” u shpërnda kudo në rrjete sociale duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e tij.

Ditët kalonin e shqetësimi nisi të ndjehej edhe te fqinjët. Asnjë gjurmë e asnjë shenjë nga Bekimi, ani pse policia kishte nisur hetimet.

Familja Vari nga Pleshina e Ulët e Ferizajt, përjetoi goditjen e dytë që pas vrasjes së djalit të madh para 10 vjetësh. Më 5 shkurt të 2025-tës mësuan se edhe djalin e dytë Bekim Varin ia kishin vrarë.

Bashkëfshatarët e kishin gjetur trupin e 38 vjeçarit në mal, ku menjëherë e kishin lajmëruar familjen.

E për t’i zhdukur gjurmët, L.F dyshohet se e kishte groposur kufomën në mal me dhe e me drunj.

Motivet e vrasjes ende ju kanë bërë të ditura zyrtarisht.

Shpërndaje në

U Kopjua