Kuvendi i Malit të Zi në një komunikatë për media i është referuar institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës si ‘të përkohshme’, raporton Kosovalive.net.
Kjo është parë në njoftimin zyrtar për takimin mes kryeparlamentarit malazez, Andrija Mandiq dhe ambasadorit të Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq, ku është diskutuar edhe për Kosovën, është përdorur terminologjia e njëjtë me shtetin serb, i cili nuk pranon të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ambasadori posaçërisht theksoi se qëllimi i vetëm që ka kreu i institucioneve të përkohshme në Kosovë, z. Albin Kurti, është t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë, jo vetëm në komunat në veri, por në të gjithë territorin”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Kujtojmë se Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur më 9 tetor 2008.