Live

“Liria ka emër” paralajmëron protesta, numëron shkeljet e Speciales ndaj krerëve të UÇK-së

15:44 / 10 Qershor 2025

Nga Kosova Live

“Liria ka emër” mbajti sot një konferencë për media, ku theksoi nevojën për një proces gjyqësor të paanshëm për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.

Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se duhet të ngrihet zëri kundër padrejtësive.

“Jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë për shkeljen e të drejtave të njeriut për Gjykatën e Hagës. Kosova e ka mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale me besimin se do të përcjellen në veprim nga standardet evropiane, megjithatë procesi që është zhvilluar për më shumë se 4 vjet ka qenë larg standardeve evropiane. Shkelja e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë alarmante.

Sot kur procesi po shkon drejt përfundimit, kur Prokuroria ka përmbyllur parqitjen e provave, këto shkelje duhet të evidentohen, të ngrihet zëri kundër padrejtësisë. Gjitha këto shkelje, nga mohimi i të drejtave themelore, vonesat e pajustifikueshme në proces, tregon se procesi ka devijuar nga rruga e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. Kërkojmë të rishqyrtohen praktikat e kësaj gjykate, të sigurohet respektimi i Kushtetutës. Procesi të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë, jo të paragjykimeve”, tha ai.

“U bëjmë thirrje shteteve financuese që të marrin përgjegjësinë institucionale e morale për të garantuar që puna e Gjykatës të jetë në përputhje me parimet themelore të drejtësisë, e jo të ndikohet nga interesat apo agjenda politike. Kjo nuk është përpjekje për të ndërhyrë në drejtësi, por kërkesë që drejtësia të zbatohet në përputhje me parimet e standardet evropiane”, tha më tutje Tasholli.

Ai paralajmëroi se në të ardhmen, nëse nuk ka ndryshime, mbetet i hapur opsioni për protestë.

“Zakonisht ne kemi mekanizma qytetar për me iu përgjigj secilës padrejtësi, opsion është edhe protesta. Secila mundësi është e hapur, te shohim nëse diçka po ndërron për mirë, krejt rruga është e gabuar. Shpresojmë që nuk do të vazhdojë të ndodhin këto shkelje, opsionet e një përgjigje qytetare janë të hapura”, tha Tasholli.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, njëherësh deputeti Përparim Gruda, ka numëruar shkeljet.

“Gjykata Speciale që akuzon Thaçin dhe të tjerët është themeluar mbi raportin e Dick Martyt për Shtëpinë e Verdhë, dhe mbi këtë fakt është ndërtuar Gjykata. Kur është publikuar aktakuza me redaktimet që dihen, dhe sot në fund të procesit, nuk ekziston asnjë fjali për Shtëpinë e Verdhë”, tha ai.

“E dyta, ju e dini që Hashim Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, janë për më shumë se 4 vjet në paraburgim, nuk janë në burg. Prezumohen të pafajshëm ligjërisht, kjo është shkelje e standardeve për të drejtat e njeriut, shkelje e Kushtetutës, shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. E pabesueshme që një gjykatë në zemër të Evropës mban të akuzuarit 4 vjet në paraburgim”, deklaroi Gruda më tutje.

“Shkelja e tretë, është marrja e provave përmes Serbisë. Serbia është vend armiqësor ndaj Kosovës, dhe fakti që Prokuroria ka akses për të marrë prova, e mbrojtja nuk ka akses, sepse nuk ka kuptim, i vë në pozicion të pabarabartë”, tha ai.

“E katërta, në rastin e Salih Mustafës. Dhoma Kushtetuese ka refuzuar zbatimin e parimit lex mitior, zbatimi i ligjit më të favorshëm. Ky parim është pjesë e Kushtetutës dhe Konventës për të Drejtat e Njeriut. Kjo është bërë në emër të autonomisë, kundrejt rendit juridik”, shtoi Gruda.

“Është e rëndësishme që shoqëria kosovare, institucionet dhe kushdo të përmbahet nga ndërhyrja në punën e Gjykatës. E respektoj këtë parim të shenjtë, që Gjykatat duhet të jenë të lira dhe të pavarura. Duhet të ruhet pavarësia e Gjykatës. Por, asnjë shoqëri evropiane e lirë, nuk mohohet nga debati”, përfundoi Përparim Gruda.

Shpërndaje në

U Kopjua