Live

 Me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi miraton Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme

18:15 / 08 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është miratuar në Kuvend brenda ditës në të dy leximet.

Në parim, ky Ligj u miratua sot rreth orës 12:00 në një seancë e cila në rend të ditës kishte vetëm këtë pikë.

Pas shqyrtimit në lexim të parë, komisioni përkatës rekomandoi shmangien e afateve procedurale dhe përmes një mocioni u vendos që deputetët të mbledheshin në ora 16:30 për ta miratuar këtë Ligj.

Në lexim të dytë 79 deputetë e mbështeten këtë Projektligj, përderisa tre të tjerë abstenuan.

Si rrallëherë gjatë kësaj legjislature, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës janë të të njëjtit mendim sa i përket një çështjeje – Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Grupet parlamentare të të gjitha partive janë shprehur pro miratimit të tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur falenderim për përfundimin me sukses të kësaj reforme zgjedhore.

Ai ka thënë se disa nga çështjet që rregullohen me këtë Projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave, mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë më shumë hapësirë për deputete gra.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në grupin punues është arritur një përmbledhje nga të gjitha grupet.

Nga Lidhja Demokratike të Kosovës, deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se partia e saj e mbështet Projektligjin.

“Duke marrë parasysh që komisioni ka marrë parasysh të adresojë të gjitha rekomandimet e BE-së ne si komision kemi arritur të kemi konsensus të plotë. Grupi parlamentar i LDK-së e mbështet Projektligjin”- ka thënë ajo.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë një mësim që është marrë nga ky proces është që kur partitë politike vendosin të bëhen bashkë për një qëllim fisnik, ato i tejkalojnë interesat e veta dhe i japin Kosovës dhe sistemit demokratik një ligj që e ka konsensusin e plotë.

Ndërsa, sot gjashtë organizata të shoqërisë civile u janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një letër publike lidhur me reformën zgjedhore.

Sipas tyre, Projektligji i ri për zgjedhjet, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime që cenojnë integritetin zgjedhor, e në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do ta përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë.

“Disa nga ndryshimet më problematike të këtij Projektligji kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve”- thuhet në reagimin e tyre.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua