Live

Millosheviqi kishte propozuar Surroin për kryeministër në vend të Bukoshit

20:18 / 20 Mars 2023

Nga Kosova Live

Veton Surroi ishte i preferuari i “Kasapit të Balkanit”, Sllobodan Millosheviqit për postin e kryeministrit të Kosovës. Ai bënte zgjedhje Surroin në vend të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit.

Kështu shkruante në librin e tij “Bisedat me Millosheviqin” ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Ivor Roberts. Ish-përfaqësuesi diplomatik i Britanisë në Serbi përmendte propozimin e Millosheviqit për “dekorimin” e Surroit me postin e kryeministrit përgjatë një takimi me të, të cilit ia kërkonte tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, shkruan Demokracia.com.

“Në vazhdim, iu drejtova kërkesës thelbësore të Grupit të Kontaktit, tërheqjes së forcave të sigurisë nga Kosova. Kjo çoi në një diskutim rrethor: me qetësimin e situatës, ai do të tërhiqej. Thashë se ai duhej të bënte hapin e parë. Pa tërheqjen e forcave, Rugova dhe negociatorët e tij nuk do të kishin mbështetjen e nevojshme politike për t’u përfshirë në dialog. Ata kishin marrë tashmë një rrezik të konsiderueshëm fizik dhe politik në takimin me Millosheviçin. Millosheviqi bëri zhurmë pozitive rreth takimit dhe përmendi Veton Surroin (redaktor i gazetës kryesore të Kosovës) në veçanti si kryeministër të ardhshëm në vend të Bujar Bukoshit. I kërkova sërish të tërhiqte forcat. Millosheviqi pyeti se kush do t’i mbronte serbët nëse ai tërhiqej. Tashmë shumë ishin vrarë nga snajperët dhe mbi pesëdhjetë ishin rrëmbyer. Si mund ta justifikonte ai tërheqjen në këtë fazë?”, shkruhet në librin e Roberts.

Ivor Anthony Roberts është diplomat anglez, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në Jugosllavi gjatë viteve 1994–1997, në Irlandë dhe Itali si dhe ish-president iTrinity College në Univeristetin e Oxfordit.

Ai në vitin 2016 kishte botuar librin e tij ‘Bisedat me Millosheviqin” (Conversations with Milosevic).

Shpërndaje në

U Kopjua