Live

Ministria e Arsimit e shkëput Kontratën Kolektive me SBAShK-un

13:42 / 22 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Kontrata Kolektive, e nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit, është shkëputur nga kjo e fundit. Kjo është bërë e ditur në një letër që MAShTI-ja ia ka dërguar SBAShK-ut. Në letër, Ministria e Arsimit jep disa arsye pse ka ardhur deri te një vendim i tillë përderisa SBAShK-u ka kritika të ashpra.

Beteja ndërmjet Sindikatës së Arsimit, e drejtuar nga Rrahman Jasharaj, dhe Qeverisë nuk e ka ndërmend të ndalet. Së fundmi, një letër e rëndësishme arriti në adresën e SBAShK-ut, dje, më 21 nëntor 2022. Ministria e Arsimit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, ka vendosur ta shkëpusë Kontraktën Kolektive, që ishte nënshkruar në janarin e vitit 2021 nga ministri i atëhershëm, Ramë Likaj.

Në letrën që e ka siguruar gazeta Nacionale, Ministria e Arsimit shkëputjen e kontratës e ka bërë në mënyrë të njëanshme. Për këtë, Ministria e Arsimit është thirrur në disa arsye. MAShTI-ja e ka mbështetur këtë vendim në mungesën e bazës ligjore por edhe në mungesën e legjitimitetit të palës nënshkruese.

Kontrata Kolektive i siguronte mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për mësimdhënës, kompensimin e shujtës, shpërblimin jubilar dhe beneficione të tjera për punëtorët e arsimit.

“Kontrata Kolektive e datës 22 janar 2021 e nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të SBASHK dhe MASHTI (këtu e tutje referuar si: Kontrata Kolektive apo Kontrata), përmes këtij Njoftimi për shkëputje të Kontratës Kolektive (këtu e tutje referuar si: Njoftimi) shkëputet njëanshëm nga ana e MASHTI, bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”- thuhet në letrën e Ministrisë së Arsimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Mungesa e zbatimit të ligjit e me këtë, mbajtja në fuqi të kontratave që kundërshtojnë dispozitat ligjore, nuk prodhon rezultat të dobishëm për asnjërën palë. Përkundrazi, zbatimi i kontratës së paligjshme cenon përmbushjen e të drejtave legjitime të punëtorëve. Rrjedhimisht, MASHTI ka ndërmarrë këtë veprim, për t’i hapur rrugë negociimit të kontratës kolektive të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit, e që ngërthen në vetë përkrahjen ndaj punëtorëve të bazuar në nevojat dhe kushtet e punës”- bëhet e ditur më tej.

Kontrata Kolektive ishte nënshkruar në janarin e vitit 2021 nga ministri i Arsimit aso kohe, Ramë Likaj, dhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Mbi çfarë arsyetimi u mbështet Ministria?

Si arsye të parë dhe kryesore Ministria e Arsimit e përmend vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, kur ishte nënshkruar Kontrata Kolektive. Në fakt, Kontrata ishte nënshkruar disa ditë pas vendimit të Kushtetueses, e cila e dërgoi vendin në zgjedhje. Sipas argumenteve të Ministrisë, Qeveria nuk e ka legjitimitetin e njëjtë sikur kur është me mandat të plotë, sikur kur ajo është qeveri në detyrë.

“Megjithatë, Kontrata Kolektive është nënshkruar me datën 21 janar apo 30 ditë pas shpalljes së njoftimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me rastin KO95/20 dhe 26 ditë para mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës. Qeveria Hoti, të cilës, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO72/20 i mungonte autoriteti kushtetutes për të ushtruar kompetencat përkatëse nuk ka pasur legjitimitet për të qenë palë në procedurë e rrjedhimisht, as të nënshkruajë Kontratën Kolektive me SBASHK”- thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit.

“Paragrafi paraprak e bën të qartë mungesën e kompetencës në marrjen e vendimeve në rast të mocionit të mosbesimit edhe atij të shkaktuar nga mungesa e votave të duhura për votimin e Qeverisë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i vetmi institucion që zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Përderisa, Qeveria Hoti ishte anti kushtetuese në thelbin e saj, vendimet e kësja të fundit, për shkak të mungesës së efektit prapaveprues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kanë mbetur në fuqi”- thuhet më tutje.

Tjetër arsyetim nga ministria që e drejton Arbërie Nagavci, është edhe që Kontrata Kolektive nuk i referohet Ligjit të Punës. Arsye tjetër është edhe fakti që përgjegjësitë e Ministrisë së Financave në këtë kontratë pa konsultim me ministrinë, nuk janë në pajtim me Rregulloren e Qeverisë.

“Për këtë, mungesa e buxhetimit të Kontratës Kolektive, shpie pashmangshëm deri te pamundësia e realizimit të të drejtave të parapara, të cilat mund të parashohin kushte më të favorshme sesa ato të parapara në Ligjin e Punës. Një gjë e tillë është edhe në pajtim me obligimin e politikave qeveritare të kalojnë nëpër filtrin e Ministrisë së Financave, siç paraqitet edhe më poshtë. Andaj, edhe në rast të konkludimit të një marrëveshjeje të ligjshme, mungesa e buxhetimit do shpiente drejt pamundësimit të realizimit të politikës së paraparë me Kontratë”- thuhet në letër.

Ministria e Arsimit gjithashtu ka theksuar se Kontrata do të duhej të vlerësohej nga departamentet edhe të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, për shkeljet eventuale. Përmenden gjithashtu edhe mënyra e shkëputjes së kontratës dhe arbitrazhi.

“Nga kjo dispozitë bëhet e kuptueshme që, Kontrata Kolektive duhet kaluar vlerësimin nga departamentet përkatëse brenda Ministrisë të cilat, vetëm atëherë kur konstatojnë që nuk ka shkelje dhe që Kontrata është në pajtim me legjislacionin në fuqi, nxjerrin vendim për regjistrimin e saj. Në rastin konkret, Kontrata Kolektive nuk ka respektuar detyrimin e paraparë me ligj për regjistrimin e saj, e për këtë, nuk ka arritur as të kalojë filterin e pajtueshmërisë me ligjin me të cilin janë ngarkuar organet e Ministrisë përkatëse (tani të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve)”- thuhet në letër.

Bazuar në të gjitha këto argumente, MAShTI-ja ka vendosur ta shkëpusë në mënyrë të njëanshme Kontratën Kolektive.

“Për këtë, e bazuar në gjithë atë që u tha më lart, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shkëput njëanshëm Kontratën Kolektive me SBASHK të datës 21 janar 2022. Për diskutime mbi Kontratën e re Kolektive në Arsim, ju ftoj që të takohemi dhe kërkesat e sindikatës t’i trajtojmë, bazuar në kompetencat dhe të drejtat që burojnë nga ligji”- përfundon letra e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.

SBAShK-u paralajmëron betejë ligjore

E për këtë letër dhe vendim të Ministrisë së Arsimit, ka reaguar Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se çështjen do ta dërgojnë në gjykatë. Ai e ka akuzuar Ministrinë se po bën një goditje të radhës ndaj sektorit të arsimit.

“Përpjekja për shkëputje të njëanshme të Kontratës Kolektive të Arsimit, është edhe një përpjekje për të goditur e për të ndëshkuar punëtorët e arsimit. Kontrata Kolektive e Arsimit u nënshkrua më 21 janar 2021 nga MASHT dhe SBASHK pas 3 muaj takimesh të komisioneve të MASHT dhe të SBASHK. Ne do ta kundërshtojmë këtë vendim të njëanshëm të MASHT-it me rrugë ligjore”- ka thënë Jasharaj.

“Pas tre muajsh takime të dialogut, komisioni i përbërë nga përfaqësues të MASHT dhe SBASHK duke respektuar Ligjin e Punës. Ata kanë përgatitur tekstin final të Kontratës, që është nënshkruar nga ministri dhe kryetari i SBAShK-ut. Kontrata mbetet në fuqi, ne rastin do ta dërgojmë në Gjykatë”- ka deklaruar Jasharaj.

Ishte pikërisht Rrahman Jasharaj që e nënshkroi Kotratën Kolektive në vitin 2021, bashkë me ministrin e atëhershëm të Arsimit, Ramë Likaj.

Në këtë Kontratë Kolektive përfshihet mbulimi i 70% të shpenzimeve të udhëtimit për arsimtarët.

“Ndër të tjera, Kontrata Kolektive garanton për mësimdhënësit kompensimin e ushqimit gjatë punës në vlerë prej 2 euro në ditë, shpërblimin jubilar varësisht nga përvoja e punës nga 50-150%, pagesë përcjellëse në lartësi të tri pagave të fundit me rastin e daljes në pension, ndërsa në fund të çdo viti kalendarik mësimdhënësit do të shpërblehen me 8.3% të pagës vjetore komulative”- kishte thënë Ministri i Arsimit, Ramë Likaj

Aso kohe, SBAShK-u kishte paralajmëruar grevë, nëse nuk do të nënshkruhej kjo Kontratë.

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Ballina