Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se Krimet Ekonomike sot kanë intervistuar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, si dhe Naim Shalakun, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore pranë këtij institucioni.
Nikçi dhe Shalaku janë ndaluar për 48 orë. Hekun Nikçi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës” si dhe “Përdorimi i paautorizuar të pasurisë”.
Ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës”
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, e njofton opinionin publik, se sot, me datë 27.02.2025, nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, janë intervistuar të dyshuarit Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.