Live

Nimani: Votat e dyfishta, Prokuroria të veprojë menjëherë

19:50 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Profesori, Artan Nimani i ka bërë thirrje Prokurorisë të veproj lidhur me procesin e votimit.

Nimani ka shkruar se këto zgjedhje kanë vë në pah keqpërdorim masiv të votës.

“Skandali i votimit të shumëfishtë, Prokuroria duhet të veprojë menjëherë! Procesi zgjedhor është një nga shtyllat kryesore të demokracisë, dhe çdo shkelje e tij dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Por zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë nxjerrë në pah një problem serioz, përveç vonesave në publikimin e rezultateve dhe “problemeve teknike”,: keqpërdorimin masiv të votës, përmes votimit të shumëfishtë dhe manipulimeve të tjera që cenojnë ndershmërinë e rezultatit”, tha ai.

Ai tutje theksoi se janë identifikuar 868 raste të votimit të shumëfishtë dhe se përfaqësojnë skandal për procesin e votimit.

“Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, janë identifikuar 868 raste të votimit të shumëfishtë, ku një person ka votuar më shumë se një herë, madje në disa raste deri në 10 herë Përveç kësaj, janë zbuluar 19 persona të tjerë që kanë votuar fizikisht në ambasada, ndërkohë që kanë dërguar votën edhe përmes postës, duke shkelur ligjin zgjedhor. Këto shifra nuk përfaqësojnë vetëm disa raste të izoluara, por një skandal të mirëfilltë që ngre dyshime serioze mbi sigurinë dhe ndershmërinë e procesit të votimit”

“Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime dhe të sigurojë që të gjithë ata që kanë manipuluar votën të përballen me drejtësinë. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të japë llogari se si ka ndodhur kjo shkelje dhe çfarë masash do të ndërmerren për të parandaluar përsëritjen e një situate të tillë në zgjedhjet e ardhshme. Vota është themeli i demokracisë. Nëse ajo manipulohet, nuk mund të flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Heshtja nuk është opsion-është koha për veprim të menjëhershëm”, deklaroi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua