Një person ka vdekur dhe 10 të tjerë janë lënduar nga aksidenti në Komoran ku u përfshinë gjashtë vetura.
Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar Naser Syla, drejtori i Emergjencës në QKUK.
Ai bëri me dije se në total janë duke u trajtuar 10 persona të lënduar nga ky aksident, ku dy prej tyre, sidomos njëri – janë në gjendje më të të rëndë.
Aksidentin më herët e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.
“Sot, më datë 11.08.2025, rreth orës 18:20, është raportuar një aksident trafiku me gjashtë automjete të përfshira dhe persona të lënduar, i cili ka ndodhur te udhëkryqi, te ura në Komoran, në drejtimin Pejë–Prishtinë”.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ndërkohë që janë njoftuar edhe ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, për të reaguar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme personave të përfshirë dhe për menaxhimin e situatës. Policia e Kosovës po kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe menaxhimin e trafikut në atë segment rrugor, ndersa për detaje të tjera do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Hoxha.