Live

Oleksandr Usyk tërhiqet nga meçi me Tyson Furyn

13:31 / 22 Mars 2023

Nga Kosova Live

Oleksandr Usyk është tërhequr nga bisedimet me Tyson Furyn për një luftë për kampionin e padiskutueshëm të botës në kategorinë e rëndë të boksit.

Lufta ishte caktuar për 29 prill në Stadiumin Wembley në Londër dhe Usyk ishte pajtuar që fitimet të ndaheshin 70/30 në të mirë të Furyt.

Por kërkesat për një rimeç të menjëhershëm bënë që bisedimet të ngecnin.


Kampioni i WBC-së Fury ishte kundër një klauzole për rimeç, derisa ekipi i Usyk tha se bënë gjithçka në dorën e tyre që lufta të ndodhte.

Gjatë fundjavës, ekipi i Furyt mendonte se marrëveshja ishte arritur plotësisht dhe madje po përgatiste për një komunikatë zyrtare.

Bashkëpromotori i Furyt, Frank Warren, shkroi në Twitter të dielën se lajmi se lufta të ndodhte ishte i pashmangshëm, por të hënën dy ekipet u fjalosën për klauzolën e rimeçit.

Usyk, 36 vjeç, i cili është kampion i WBA, IBF dhe WBO, dëshiron ta ketë një klauzolë për rimeç në marrëveshje, sikur britaniku Anthony Joshua kur u përball me të në vitin 2021.

Joshuas iu dha mundësia ta rifitonte titullin në Arabinë Saudite dhe Usyk dëshiron ta ketë mundësinë e njëjtë nëse mposhtet.

Fury ndien se rimeçi është i panevojshëm, duke besuar se titujt e kategorisë së rënë mund të ndahen pasi të ketë përfunduar lufta për kampionin e padiskutueshëm të botës.

Bota nuk ka pasur kampion të padiskutueshëm në kategorinë e rënë që prej vitit 1999 kur Lennox Lewis e mposhti Evander Holyfieldin – ndërsa në epokën e katër divizioneve nuk ka pasur kurrë kampion që i ka mbajtur të gjithë katër brezat.

Shpërndaje në

U Kopjua