Live

Operatori serb fitoi të drejtat e transmetimit të Kampionatit të Hendbollit në Kosovë – KPM: Nuk kemi juridiksion mbi kanalet e licensuara jashtë vendit

17:27 / 26 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kampionati Botëror në hendboll është duke u mbajtur aktualisht në Poloni dhe Suedi.

Dihet se ky kampionat nuk e ka interesimin aq të lartë sa Kampionati Botëror në futboll, por që disa shtete pas futbollit e kanë sportin e dytë më të zhvilluar dhe kërkon edhe mbulim të madh medial.

Pra, Federata jonë e Hendbollit është me të drejta të plota e antarësuar në Federatën e Hendbollit Botëror, IHF dhe për këtë ka të drejtën e transmetimit.

Kështu, IHF të drejtën e transmetimit të kampionatit Botëror në Hendboll për Kosovë ia drejtoi transmetuesit serb, Arenasport që është me seli në Beograd.

Për këtë rast Periskopi ka dërguar pyetje te Këshilli i Pavarur për Media për të kuptuar më shumë rreth kësaj situate.

Në përgjigjen e KPM-së thuhet se për kanalet që janë të licencuara jashtë vendit, KPM nuk ka juridiksion mbi to, mirëpo ajo çka kërkohet nga KPM në rastin e cekur është që operatorët e shpërndarjes të cilët i ritransmetojnë këto kanale, t’i kenë marrëveshjet valide për bartjen e tyre në Kosovë.

“Lidhur me pyetjen tuaj të parë më lejoni të ju sqarojmë se sipas Ligjit për RTK-në, televizioni publik ka disa obligime të cilat kanë të bëjnë me mbulimin ngjarjeve të veçanta dhe se në lidhje me mundësin transmetimin e Kampionatit Evropian të Hendbollit nga ana e RTK-së, ju lutem drejtohuni tek RTK për me shumë informata. Për kanalet që janë të licencuara jashtë vendit, KPM nuk ka juridiksion mbi to, mirëpo ajo çka kërkohet nga KPM në këtë rast është që operatorët e shpërndarjes të cilët i ritransmetojnë këto kanale, t’i kenë marrëveshjet valide për bartjen e tyre në Kosovë. Sa i përket rastit konkret, ju njoftojmë se kanalet Arena Sport barten në Kosovë nga operator të shpërndarjes te cilët kanë marrëveshje valide për ritransmetimin e këtyre kanaleve në Kosovë. Ndërsa çështja se pse Arena Sport e ka fituar këtë të drejtë nga IHF që të jetë transmetues për Kosovë i kampionatit, ju lutem drejtohuni tek IHF si dhënës i të drejtave të transmetimit”, thuhet në përgjigjen e KPM-së për Periskopin.

Kujtojmë se Kosova nuk arriti të kualifikohet në këtë kampionat, pasi e mbylli ciklin eliminator me një fitore, një barazim dhe katër humbje.

Shpërndaje në

U Kopjua