Live

Pa veprime konkrete nga Kurti në tri kërkesat e tij, Escobar i raporton sot Shtëpisë së Bardhë për situatën në veri

08:22 / 09 Qershor 2023

Nga Kosova Live

Gjatë vizitës në Kosovë ditë më parë i dërguari amerikan, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se e premtja është afati kur do të raportojë në Shtëpinë e Bardhë për procesin e de-eskalimit të situatës në veri.

Për këtë pikë, ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të lëvizin, meqë nga përgjigjet e marra dhe raportimi i së premtes në Shtëpinë e Bardhë, Escobar tha se do të pasojnë vendime.

“Pas kësaj vizite, ne do të pyetemi nga Shtëpia e Bardhë, të premten, për t’ua dhënë një përditësim mbi atë që po ndodh. Dhe unë duhet të raportoj nëse ka ndonjë progres apo jo. Miroslav Lajçak duhet të raportojë te Josep Borrell, rreth situatës. Nuk është një afat, por një hap tjetër për mua dhe në bazë të raportit tim do të marrim disa vendime dhe do të ecim përpara”, ka deklaruar ai.

Një raportim të tillë tha se duhet ta bëjë tek eprorët edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, shkruan gazeta online Reporteri.net.

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të hënën e 5 majit takuan në mbrëmje Kryeministrin e vendit, Albin Kurti për t’i paraqitur kërkesat e tyre, pas tensionimit të situatës në komunat veriore në Kosovë.

Emisari amerikan dhe ai evropian paraqitën tri kërkesa tek kreu i Qeverisë së Kosovës, “qetësimi i situatës në terren në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në Dialog”, por që siç tha Lajçak për zgjedhjet nuk arritën dakordim.

Më shumë për mediat foli emisari amerikan, Gabriel Escobar i cili tha Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka instinkt bashkëpunimi.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne, ne nuk mund të pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam të rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar.

Escobar një ditë më pas deklaroi se zgjedhjet në komunat veriore do duhej të mbaheshin para fundit të muajit korrik.

Mirëpo, kësaj deklarate të tij, iu përgjigj po atë ditë kryeministri Kurti përmes një interviste dhënë në mediumin francez “France 24”, ku tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se zgjedhjet e reja në komunat veriore do të mbahen pas disa muajve, por jo para korrikut siç ka kërkuar emisari amerikan, Gabriel Escobar.

“Pas disa muajve mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi është sundimi i ligjit. Duhet të kemi së pari që të heqim bandat e dhunshme dhe vetëm atëherë mund të kemi zgjedhje të hershme”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti, edhe gjatë ditës së djeshme i ka akuzuar emisarët perëndimorë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, për anshmëri në çështjen e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Në një intervistë për Associated Press, kryeministri Kurti ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po tolerojnë, siç ka thënë ai, regjimin autoritar të Serbisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se kabineti i tij ka një tjetër qëndrim.

“Ne insistojmë se duke e trajtuar për së tepërmi mirë një autokrat [flet për Aleksandar Vuçiq], nuk e bën atë të sillet më mirë. E kundërta”, tha Kurti, për AP.

Emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak “vinë me kërkesa nga pala tjetër”, tha kryeministri Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua