Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të ngritur nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ndaj disa zyrtarëve të LDK-së.
Haziri, gjatë një deklarate në emisionin Debat Plus, komentoi akuzat që Peci bëri në një postim në Facebook, ku ai përmendi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe kryetarin e Forumit të Rinisë së LDK-së, Paris Gurin, për përfshirje në deklarime të rreme për përfitime nga grantet bujqësore.
Haziri e kundërshtoi këtë veprim, duke kujtuar se Peci dikur kishte punuar si këshilltar i tij.
“Kur ka qenë Fatoni si këta djemtë e ri, kur ka qenë i ri ka qenë këshilltari i imi në Qeveri. Besoj që u dashtë me mësu mirë, që kur je në Qeveri ke përgjegjësi publike ndaj të gjithëve dhe jo ndaj një partie që të ka bërë ministër,” tha Haziri, duke kritikuar ministrin për qasjen ndaj këtij rasti.
Ai theksoi se zyrtarët e LDK-së të përmendur në këtë çështje, Paris Guri dhe Egzon Pacolli, kanë ekspozuar keqpërdorimet me grantet bujqësore.
“Këta dy djemtë e ri e kanë çaravesh krejt subvencionet, që i kanë nxjerrë, që e kanë çu me ndalë,” u shpreh Haziri.
Ai u pyet në lidhje me ndikimin e akuzave në zyrtarët e LDK-së.
“Ama bash asnjë minutë gjumin nuk u prishet”, deklaroi Haziri.