Live

Pagat ekzekutohen me vonesë, sa ligje u shkelën deri tani?

20:38 / 01 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Pagat në sektorin publik janë ekzekutuar sot gjatë mesit të ditës. Kjo do të duhej të ndodhte ditën e hënë, e që në këtë rast vonesa ka bërë që të shkelet ligji. Ministria e Financave arriti t’i ekzekutojë pagat vetëm pasi emëroi një ushtrues tjetër detyre në pozitën e Drejtorit të Thesarit por edhe këtu u shkel ligji meqenëse nuk lejohet që kjo pozitë të vazhdohet më shumë se 1 vit me ushtrues detyre

Pagat që në sektorin publik zakonisht ekzekutohen para datës 1, këtë muaj dolën me një ditë vonesë.

Shkak u bë vazhdimi i funksionimit të pozitave kyçe të shtetit me ushtrues detyre. Edhe ajo e Drejtorit të Thesarit ishte me ushtrues detyre e të cilit i kishte skaduar me 30 shtator mandati dhe rrjedhimisht nuk lejohej të nënshkruante vendimin për ekzekutim pagash.

Megjithëkëtë, shteti edhe këtu ka improvizuar duke caktuar një tjetër ushtrues detyre. Siç ka raportuar gazeta Nacionale, në këtë pozitë është caktuar Xhevat Zejnullahu. Dukagjini ka pyetur Ministrinë e Financave por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Por, pagat janë ekzekutuar megjithatë edhe këtu është shkelur Ligji për Zyrtarët Publik, konkretisht nenin 35, pika 3,4 dhe 5 që përcakton se zyrtari publik mund të caktohet ushtrues detyre maksimumi për 1 vit dhe pozita nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre më gjatë se kaq.

“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar të paragrafin 3.të këtij neni, është i paligjshëm”, thuhet në paragrafin 5 të këtij neni.

Ligji për zyrtarët publik

“3. Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë muaj të tjerë.

  1. Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3, të këtij neni.
  2. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar të paragrafin 3.të këtij neni, është i paligjshëm”

Megjithkëtë, siç është raportuar krejt kjo është bërë me leje të Ministrisë së Brendshme, e cila ka lëshuar një opinion ligjor duke vlerësuar se dëmi  për shtetin do të ishte më i madh nëse nuk vazhdohet në pozita me ushtrues detyre sesa po të largoheshin ata.

Por, askush nuk ka dhënë deri tani as përgjigje as përgjegjësi pse jo vetëm pozita e drejtorit të Thesarit por edhe 7 pozita në ministri të tjera dhe 29 agjenci ekzekutive vazhdojnë të funksionojnë jashtëligjshëm me ushtrues detyre dhe nuk janë shpallur konkurse të rregullta për plotësimin e tyre.

Krejt kjo situatë e krijuar ka nxitur reagimin e Sindikatave në vend.

Kryetari i Sindikatës se pavarur të Administratës, Ali Gashi ka thënë se veprimi i Qeverise për mosekzekutimin e pagave ka qenë i paramenduar sepse sipas tij ata kanë qenë në dijeni për skadimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Thesarit.

“Qeveria ka dështu në respektimin e këtij ligji dhe them të drejtën kjo ka ndodhur me vetëdije, jo pahiri dhe një koleg ndërmjet telefonit më tha: a e dini që e ka shkel ligjin? Dhe i thash, po me çuditë si kjo qeveri po e shkelë ligjin sepse për Kushtetutë e dimë, por ligjin,” tha Gashi.

Pos e-mailin zyrtar të Ministrisë së Financave, televizioni ka tentuar të komunikoj edhe me zyrtarë tjerë, përfshirë ministrin Hekuran Murati,  zëvendësministrat e këshilltarë të tyre por asnjëri nuk është përgjigjur.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...