Live

Pjetri i Madh dhe Putini i Vogël

10:37 / 24 Prill 2023

Nga Kosova Live

Shkruan: ALTIN AHMETI


Ushtria Ukrainase dha sot shenjat e para për fillimin e ofensivës së shumëpritur për çlirimin e zonave të pushtura, duke kaluar në anën e djathtë të lumit Dnieper, në regjionin e Khersonit, tentativë kjo sipas ushtarakëve taktike dhe strategjike, pasi ka qëllim sikurse gjatë vjeshtës dhe dimrit të kaluar, të hutojë dhe mashtrojë forcat terroriste ruse.

Vitin e kaluar, kur e gjithë ushtria ruse ishte pregaditur dhe priste ofenzivën në Kherson, Ushtria Ukrainase sulmoi dhe çliroi pjesën më të madhe të Kharkivit, një zonë me madhësi sa dy Kosova, duke vijuar njëkohësisht dhe çlirimin e qytetit të Khersonit dhe gjithë anën e majtë të lumit Dnieper.

Operacioni ushtarak i Ushtrisë Ukrainase në dy fronte, që shembi Ushtrinë Ruse brenda dy javësh, pritet të jetë edhe më spektakolar kësaj here, pasi indikacionet sipas ushtarakëve perëndimorë tregojnë se Ushtria Ukrainase do të sulmojë në të gjithë gjatësinë e frontit prej mbi 2 mijë kilometrash….

Rëndësia e suksesit të Ushtrisë Ukrainase është mbarëbotërore, nga Kina e deri në Kosovë.

Nga suksesi i çlirimit të Ukrainës lindore dhe Krimesë, do të varet nëse do kemi një Rend të Ri Botëror me shtetet autoritare që udhëheqin dhe kërcënojnë të gjitha vlerat të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore, vlerave të krijuara pas rënies së komunizmit dhe më tepër.

Nga suksesi I Ushtrisë Ukrainase varet dhe lufta e ardhshme mes Kinës dhe Taivanit, apo më saktë sulmi i Kinës ndaj
Ishullit demokratik të Tajvanit, sulm ky që nëse do të rezultonte i sukësesëshëm, do nxirrte Kinën si superfuqi botërore përgjatë gjithë këtij shekulli.

Ndërsa suksesi i Ushtrisë Ukrainase në regjionin e Ballkanit do sillte efekte të menjëhershme.

Në radhë të parë do të disiplinonte shtetin e Serbisë duke dhënë ndikime direkte në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës dhe potencialisht njohjen e Kosovës nga ana e saj, por edhe orientimin e këtij shteti drejt Bashkimit Europian në mënyrë të padiskutushme, pasi loja e vjetër në mes Lindjes dhe Perëndimit do të përfundonte njëherë e mirë.

Nacionalizmi serb dhe ai rus kanë lidhje simbiotike mes njëri tjetrit dhe kjo mund të kuptohet dhe nga tifozllëku që bëhet në Serbi për një fitore ruse në luftë.

Çdo sukses i forcave ukrainase dhe humbjet e forcave ruse nëpër fushëbetejat e Ukrainës në mediat serbe përcillet me histeri dhe egërsi të pashoqe, duke paralajmëruar kataklizëm për Serbinë në rast se Rusia do të humbasë luftën në Ukrainë.

Dhe serbët kanë të drejtë që humbjen e Rusisë e shohin si fundin e botës, pasi me suksesin e saj kanë qenë të lidhur që prej daljes së Rusisë si fuqi e madhe, këtu e 300 vjet më parë.

Serbia nga një principatë autonome në Perandorinë Osmane, autonomi të cilën e fitoi po me ndihmën e pashoqe të Rusisë, u kthye gjatë viteve në vijim në shtet imperialist, pushtues dhe kolonizues, gjithnjë me mbështetjen dhe inkurajimin e asaj që shpesh ata e quajnë Nëna Rusi.

Dhe nga kjo ndihmë e vazhdueshme dhe e pakompromis jo rallë dhe me të drejtë quhej Rusia e Vogël.

Aq e madhe ishte mbështetja për Serbinë nga ana e Rusisë, sa Lufta e Parë Botërore filloi kur Rusia Cariste i shpalli luftë AustroHungarisë, e cila sulmoi Serbinë për shkak të implikimit direkt në vrasjen e princit të saj trashigimtar në Sarajevë, në vitin 1914.

Serbia u ndihmua nga Rusia pa asnjë kusht si kur ishte cariste, komuniste, e rrënuar dhe në anarki nga shembja e sistemit apo tani kur qeverisë një vrasës nacionalist si Vladimir Putin.

A nuk do të fillonte Lufta e Tretë Botërore siç e kanë thënë shumë politikanë perendimorë gjatë vitit 1999, kohë kur Rusia dërgoi një batalion me autoblinda që të pushtonin Aeroportin e Prishtinës dhe të vendoseshin aty para forcave të Nato-s???

Ushtarët e vendosur në aeroportin e Prishtinës ishin pararoja e një divizioni që pritej të parashutohej dhe të vendosej në veri të Kosovës, një veprim ky që u pengua nga NATO, e cila mbylli qiellin e vendeve anëtare për forcat ruse dhe pamundësoi këtë opsion.

Gjithsesi e veçanta e situatës së tanishme është fakti se Rusia është nē situatën më të keqe që ka pasur ndonjëherë.

Është në situatë shumë më të keqe se në kohën e Pjetrit të Madh, në kohën e Leninit, Stalinit apo edhe të vet Jelcinit, kohë kur qe shembur dhe ndarë Bashkimi Sovjetik, të cilin vendim presidenti aktual Putin e quan gabimin më të madh.

Aleatët që i kishte si në Luftën e Parë Botërore, kohë kur humbi ndaj Gjermanisë dhe pranoi një traktat poshtrues që i hiqte territore me sipërfaqe të madhe, dhe në Luftën e Dytë si SHBA, Britania e Madhe etj, që i dhanë ndihmë të pakufizuar materiale në luftë kundër Nazizmit, nuk i ka më.

E gjitha bota demokratike dhe më tepër e kanē izoluar ekonomikisht, sa tani po diskutohet seriozisht që të ndalohet blerja e çdo produkti Made In Rusia. Kjo pasi nafta dhe gazi rus, prej kohësh janë përjashtuar nga tregjet perendimore.

Duke vënë poashtu sanksione në paisjet luftarake dhe pjesët që prodhojnë ato, shtetet demokratike kanë kufizuar në maksimim efiçencën e prodhimit të armëve nga ana e Rusisë, fakt ky që bashkë me humbjet e mëdha ushtarake në Ukrainē bëjnë që ardhmëria e këtij vendi të ketë dilema serioze ekzistenciale.

Analizat më optimiste të ekspertëve dhe ushtarakëve argumentojnë për kthimin e Rusisë nga superfuqi, në një fuqi të nivelit të dytë, ndërsa parashikimet negative flasin për një shkapëderdhje të mëtutjeshme të Federatës Ruse,shoqëruar me gjakëderdhje dhe nivel dhune të pakrahasueshme me dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik.

Merita kryesore për këtë gjendje të rëndë i takon dikatorit Vladimir Putin, që është zhytur në paranoja sulmoi për të pushtuar një shtet të pavarur si Ukraina, duke krahasuar veten me Carin Pjetri i Madh, që cilësimin e madh e mori jo për shkak të gjatësisë së trupit por ngaqë rriti territorin e Rusisë duke e bërë shtetin më të madh në botë.

Këtu qëndron edhe një pjesë e shpresës për Ukrainën. Putin njëlloj sikurse Hitleri në Luftën e Dytë Botërore, nuk është në gjendje të pranojë paaftësinë e ushtrisë ruse dhe vendosë edhe për beteja të parëndësishme ushtarake, duke mos përfillur këshillat e profesionistëve.

Derisa gjeneralët dhe udhëheqësit po kërkojnë që të shpallet i përfunduar operacioni ushtarak, Putin nuk është në gjendje të pranojë humbjen dhe është duke kërkuar sulme dhe lavdi ushtarake.

Hitleri nuk pranoi këshillën e gjeneralëve gjermanë që kërkuan të tërhiqeshin nga rethimi i Stalingradit disa qindra kilometra në sezonin e dimrit, për tu kthyer sërish në Pranverë. Kjo i kushtoi atij elitën e trupave gjermane, mbi 300 mijë ushtarë robër që u detyruan të dorëzohej.

Ndërsa “gjenialiteti ushtarak” i Putinit, do të dalë në pah me ofensivën ukrainase që sapo ka dhënë shkëndijat e para, shumë më tepër se lufta kaotike e deritanishme.

Brenda 1 viti luftë janë vrarë mbi 150 mijë ushtarë rus, 3 mijë tanke të shkatërruara, 10 mijë automjete të blinduara, mbi 300 aeroplanë dhe Rusia nuk po arrin të pushtojë një qytet të vogël me 70 mijë banorë si Bahmut.

Me këto humbje dhe ndërrimet e shpeshta te komandës ushtarake, ai ka treguar se është një strateg i vogël ushtarak.

Adhuruesi i Pjetrit të Madh e meriton cilësimin Putini i Vogël. #SlavaUkraini #Zelensky #RUSIATERRORISTSTATE

Shpërndaje në

U Kopjua