Live

Policia dhe Dogana me aksion në Leposaviq, konfiskohen kartela grafike e pajisje për prodhim kriptovalutash

18:51 / 29 Tetor 2022

Nga admin

Në Leshak të Leposaviqit, sot janë konfiskuar mallra të kontrabanduara, përfshirë kartela grafike, pajisje Antiminer e pllaka elektronike për prodhim të kriptovalutave.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla deklaroi se aksioni u realizua në bashkëpunim mes njësiteve të Policisë dhe atyre të Doganës.

“Me këtë rast, nga ky aksion, në një lokal afarist njësitet kanë konfiskuar si mallra të kontrabanduara 93 kartela grafike, 8 pajisje Antiminer, 17 pllaka elektronike që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave si dhe 280 litra pije alkoolike dhe 96 litra pije joalkoolike” shkroi ministri Sveçla në facebook.

Ai gjithashtu bëri me dije se u has edhe një automjet i dyshuar, nga i cili u konfiskuan produkte ushqimore që po kontrabandoheshin nga Serbia.

“Falënderoj Doganën dhe Policinë e Kosovës për suksesin e sotëm por edhe për vendosmërinë e tyre për të luftuar çdo fenomen që cënon rendin dhe ligjet e Republikës së Kosovës” përfundoi Sveçla.

Shpërndaje në

U Kopjua