Live

Prokuroria në Ferizaj: Kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia

12:47 / 01 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Mbrëmë vrasja e Hamide Magashit ka tronditur gjithë vendin. Ajo mbeti e vrarë në oborrin e Gjinekologjisë në Prishtinë pasi dyshohet se ish-burri i saj e shkrepi tri herë armën. Mirëpo sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj më 8 shtator të këtij viti, në zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave në Ferizaj është paraqitur kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj tashmë të dyshuarit për vrasjen.

Prokuroria thotë se për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës.

“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e  urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

Ndaj Sokol Halitit, i dyshuar për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare, Prokuroria thotë se ishte ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.

Komunikata e plotë:

Ferizaj, 01 dhjetor 2022 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” nga neni 248, paragrafi 1 të KPRK-së. 

Prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës. 

Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së. 

Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023. 

Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e  urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës. 

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale. 

Shpërndaje në

U Kopjua