‘ALARM!! – Duam ajër të pastër’, ‘E ardhmja nuk shihet nga smogu’, ‘Ajri ynë është helm, Qeveria jonë është e shurdhër’ – këto ishin disa nga mbishkrimet në pankartat e mbajtura nga banorët e Shkupit, që të shtunën, për herë të dytë brenda këtij muaji, dolën në marsh protestues kundër ndotjes së ajrit.
Si herën e kaluar, edhe tani, protestuesit nisën marshimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, vazhduan drejt Kuvendit dhe e përfunduan para ndërtesave të Qytetit të Shkupit.
Dy javë kanë kaluar që kur kërkesat e para janë dorëzuar pas protestës së parë, por deri tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga institucionet, theksuan udhëheqësit e protestës.
Organizatorët, iniciativa ‘Qyteti i Gjelbër Human’, së bashku me qytetarët protestues, paraqitën katër kërkesa për luftimin e ndotjes së ajrit në Shkup, përfshirë monitorimin e vazhdueshëm publik të objekteve industriale, për të siguruar transparencë mbi ata që ndotin ajrin.
“Kërkesa e dytë ka të bëjë me ngrohjen ekologjike të objekteve, si Klinika e Fëmijëve ‘Kozle’, e cila ende ngrohet me naftë. Kërkesa e tretë është që të zgjidhet autocentrizmi në qytet, me prioritet transportin publik dhe biçikletat para veturave, dhe kërkesa e katërt është menaxhimi më i mirë i mbeturinave”, tha Borjan Jovanovski nga iniciativa qytetare “Qyteti i Gjelbër Human”.
Protestuesit, herën e kaluar, më 10 dhjetor, theksuan se shkak për protestën janë rastet e shumta të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 17.7% të vdekshmërisë së përgjithshme në vend, raporton REL.
“Çdo i nënti rast vdekjeje te foshnjat në Maqedoninë e Veriut lidhet me ajrin e ndotur”, njoftoi agjencia e Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti.
Shkupi ka qenë vazhdimisht ndër qytetet më të ndotura në botë muajt e fundit, sipas kompanisë botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit. Ndërkohë, masa e vetme që zbatohet gjatë periudhës me ndotjen më të lartë të ajrit, është transporti publik falas.