Live

Rada Trajkoviq e gatshme të bëhet deputete por ka një kërkesë nga kryeministri Kurti

11:44 / 08 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

10 deputetët e subjektit politik parlamentar Lista Serbe dje edhe zyrtarisht i kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës. Këtë vendim e morën si shenjë proteste ndaj Qeverisë së Kosovës që ka filluar qortimin për targat ilegale serbe.

Pasi që Lista Serbe ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit me 20 kandidatë, janë edhe kandidatë tjerë në radhë nga kjo parti (LS) që mund t’i zënë ulëset e deputetëve të dorëhequr.

Nëse të njëjtit nuk pranojnë certifikimin si deputet të Kuvendit të Kosovës, kjo pozitë i ofrohet kandidatëve nga lista e subjekteve tjera politike që kanë pasur koeficientin më të lartë dhe që janë deklaruar që përfaqësojnë interesat e komunitetit serb në zgjedhje. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, i cili ndër vite ka monitoruar punët e Kuvendit të Kosovës.

Në mesin e tyre, kandidate për deputete në zgjedhjet e fundit ishte edhe Rada Trajkoviç nga partia serbe GI SPO, që ka numrin më të madh të votave pas LS-së. Trajkoviç është kryetare e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës e njëherësh ish-deputete.

Nëse i ofrohet pozita e deputetes, Trajkoviç për Indeksonline thotë se do ta merrte në konsideratë këtë ofertë. Megjithëse ajo kërkon një garancë nga kryeministri Albin Kurti.

“Si dikush që ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit në Kosovë, do ta merrja në konsideratë këtë ofertë. Por unë do ta pranoja vetëm nëse zoti Kurti garanton dhe respekton plotësisht dhe pa rezerva të drejtat kushtetuese të komunitetit tonë”, u shpreh ajo.

Ajo thotë se, “ruajtja e Kosovës multietnike dhe mbrojtja e Marrëveshjes së Brukselit janë synime më të mëdha dhe më të rëndësishme se secili prej nesh individualisht”.

“Unë kam qenë e ekspozuar ndaj sulmeve të regjimit serb (në të cilin atëherë ishte edhe z. Vuçiq) kur u anëtarësova në Këshillin e Përkohshëm Administrativ të UNMIK-ut në vitin 2000 si përfaqësuese e serbëve, kështu që tashmë e di se si është të sakrifikosh personalisht për stabilitetin dhe barazinë e Kosovës”, thotë Trajkoviç

Shpërndaje në

U Kopjua