Afro 20 mijë metra katrorë hapësirë publike është liruar vetëm në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama dha detaje nga aksioni i nisur prej disa ditësh në të gjithë vendin, teksa paralajmëron se do të punohet pa ndërprerje deri në clirimin dhe transformimin e plotë të të gjitha qyteteve shqiptare.
“Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo… “
Rama tha se së shpejti bizneseve do tu vihet në dispozicion një plan I detajuar për vendosjen e tavolinave në jashtë, në mënyrë që të mos cënojnë hapësirat publike të përcaktuara për qytetarët.
“Për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”, tha Rama.