Live

Refuzohet si e pabazuar padia për shpifje dhe fyerje e Mimoza Kusari-Lilës ndaj Ardian Gjinit

15:38 / 12 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka refuzuar si të pabazuar padinë për shpifje dhe fyerje, të ushtruar nga Mimoza Kusari-Lila ndaj kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit.

Padia ishte ushtruar më 13 nëntor 2017, ku Mimoza Kusari-Lila përmes padisë ka kërkuar kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje ndaj të paditurit Ardian Gjini. Objekt i padisë janë deklarimet e kryetarit të Komunës së Gjakovës në kohën e fushatë elektorale komunale, ku në garë ishte edhe Kusari-Lila, aktualisht deputete në Kuvendin e Kosovës në grupin parlamentar të Vetëvendosjes.

Në vendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, marrë më 9 gusht 2024, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se fillimisht gjykata duke u mbështetur në udhëzimet e Gjykatës së Apelit dhe mbi bazat e parimeve të GJEDNJ dhe në ndërlidhje me gjendjen faktike të vërtetuar, ka vlerësuar se deklarimet e të paditurit, të dhëna përgjatë fushatës zgjedhore, në cilësi të kandidatit për kryetar komune, janë bërë në konstekstin e fushatës zgjedhore dhe janë kritika dhe vlerësime të tij rreth udhëheqjes aktuale të Komunës së Gjakovës nga paditësja në kohën e zhvillimit të debatit.

Sipas vendimit, ato deklarime të paditurit drejtuar kundër-kandidates së tij në garë-paditëses, si kryetare e komunës në kohë zgjedhjesh, nuk kishin për qëllim vlerësimin e personalitetit të paditëses, por se të njëjtat ishin vlerësim i të paditurit rreth ushtrimit të funksionit të saj publik, funksion i cili përbën një çështje të ngritur në interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

Po ashtu, në vendim thuhet se gjykata ka vlerësuar se pretendimi i të autorizuarës të paditëses se në rastin konkret nga vet deklarimet e të paditurit të dëgjuar në cilësi të palës, rezulton se kemi të bëjmë me pohim të kërkesëpadisë, mirëpo gjykata i gjeti si të pabazuara, kjo për faktin se i padituri përgjatë procedurës nuk kishte mohuar asnjëherë të kishte bërë deklarimet e tilla si në kërkesëpadi, por që i njëjti përgjatë kësaj procedure kishte kontestuar pretendimin e paditëses se këto deklarime përbëjnë shpifje dhe fyerje.

Gjykata i ka vlerësuar edhe deklarimet dhe provat e tjera të palëve ndërgjygjëse, dhe ka erdh në përfundim se të njëjtat janë pa ndikim në vendosjen meritore të kësaj çështje juridike kontestimore.

Andaj, gjykata ka vlerësuar se meqenëse nuk është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë, i padituri nuk ka për detyrim që paditëses t’ia kompensojë dëmin mbi bazën e shpifjes të kërkuar si në kërkesëpadinë e precizuar.

Ndërsa, është detyruar paditësja Mimoza Kusari-Lila që në emër të pagesës për shpenzimet e procedurës, të paditurit të ia paguajë shumën prej 900 e 6 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.

Ndryshe, në padi thuhet se, i padituri Ardian Gjini më 2 tetor 2017 në emisionin “Magazina Lokale” në Klan Kosova kishte deklaruar duke aluduar se “znj. Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra larg kullës “Sylejman Vokshi”, duke i futur kështu në borxh qytetarët e Gjakovës”.

Po ashtu në padi thuhet se i padituri Gjini dhe më 24 tetor 2017 në emisionin “Rubikon” në KTV, i ka dhënë këto deklarata: “znj.Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti, në këtë rast z.Arben Lila, duke shtuar këtu se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale.” Ka theksuar se bashkëshorti, pra “Arben Lila është partner në Fiberlink dhe në një diskotekë”.

Në padi thuhet po ashtu se në emisionin e njëjtë “Magazina Lokale” në Klan Kosova i padituri Gjini ka deklaruar se: “kryetarja e komunës, znj.Mimoza Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësi soji ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interes personal”.

Sipas padisë, pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë në asnjë rrethanë dhe në këtë rast bashkëshorti i paditëses Kusari-Lila, Arben Lila, nuk është as partner, as pronarë i “Fiberlink”-ut, e në fakt i asnjë nga bizneset të cilët kanë fituar tenderë në Komunën e Gjakovës.

Po ashtu në padi thuhet se paditësja Kusari-Lila nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave për-rreth kullës “Sylejman Vokshi”, marrë parasysh se plani urbanistik për këtë pjesë është draftuar shumë kohë para se Kusari-Lila, t’i shërbej qytetarëve të Gjakovës.

Në padi kërkohet që i padituri të detyrohet që paditëses në emër të kompensimit të dëmit moral të ia kompensojë shumën prej 9 mijë 500 euro, me kamatë ligjore prej 8%, si dhe urdhërohet që i padituri t’i bëjë kërkim-falje publike lidhur me shpifjet që i ka bërë i padituri dhe t’i demantoi ato në tërësi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë më 10 qershor 2019 kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Mimoza Kusari-Lila, ndërsa, Gjykata e Apelit lëndën e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të të paditurit, e duke prishur aktgjykimin e Themelores me arsyetimin se qëndrimi juridik i shkallës së parë është i gabuar.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...