Agjencia e lajmeve “Reuters” ka raportuar për sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, që ndodhi mbrëmë. Raportimin e ka filluar me përpjekjet për të siguruar furnizimin me ujë dhe energji elektrike, që u rrezikuan pas këtij sulmi, si dhe rritjen e sigurisë.
Sulmi është cilësuar si akt terrorist, e për këtë autoritetet kanë drejtuar gishtin kah Serbia.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç ka mohuar përfshirjen e Beogradit në këtë sulm, duke i cilësuar si “akuza të pabaza”, madje ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti për përfshirje, pa asnjë provë.
Janë përmendur edhe masat shtesë që janë marrë nga Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.
Për Reuters ka folur edh eish-Drejtori i KEK, Arben Gjukaj, i cili ka thënë se ndërprerja e ujit në atë lokacion do të ndikojë edhe në prodhimin e energjisë.
“Ata që e bënë këtë sulm nuk janë thjesht kriminelë të zakonshëm, kjo bëhet nga një strukturë e mirëorganizuar që e di shumë mirë se ndërprerja e ujit në atë lokacion do të ndikojë gjithashtu në prodhimin e energjisë,” ka deklaruar Gjukaj, duke shtuar “Situata është shumë kritike”.
Kryeministri Albin Kurti iu drejtua qytetarëve përmes një konference për media në orët e vona.
Për këtë sulm, ai drejtoi gishtin nga Serbia.
“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në Kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, deklaroi Kurti.
Ai përmendi sulmet e fundit me granata dore në stacionin policor në Zveçan dhe hedhjen e mjetit shpërthyes afër Komunës së Zveçanit.