Rusia i ka paraqitur SHBA-së një listë kërkesash për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së saj kundër Ukrainës dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Washingtonin, sipas Reuters.
Nuk është e qartë se çfarë përfshiu saktësisht Moska në listën e saj ose nëse është e gatshme të përfshihet në bisedimet e paqes me Kievin përpara pranimit të tyre. Zyrtarët rusë dhe amerikanë diskutuan kushtet gjatë bisedave personale dhe virtuale gjatë tre javëve të fundit, thanë dy burime për Reuters.
Ata i përshkruan kushtet e Kremlinit si të gjera dhe të ngjashme me kërkesat që më parë i ka paraqitur Ukrainës, SHBA-së dhe NATO-s.
Këto kushte të mëparshme përfshinin mungesën e anëtarësimit në NATO për Kievin, një marrëveshje për të mos vendosur trupa të huaja në Ukrainë dhe njohjen ndërkombëtare të pretendimit të Presidentit Vladimir Putin se Krimea dhe katër provinca i përkasin Rusisë.
Rusia, vitet e fundit, gjithashtu ka kërkuar që SHBA-ja dhe NATO-ja të adresojnë ato që ajo i ka quajtur “shkaqet rrënjësore” të luftës, duke përfshirë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.