Live

Selektori i Gjermanisë e vëzhgon Mërgim Berishën

14:02 / 06 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Selektori i Gjermanisë, Hansi Flick e ka dërguar asistentin e tij, Marcus Sorg për ta vëzhguar Mërgim Berishën.

Dhe, futbollisti kosovar shkëlqeu pikërisht në praninë e përfaqësuesve të Kombëtares gjermane.

Sorg ishte i pranishëm në stadium në ndeshjen që Augsburgu e fitoi me rezultat 1:0 ndaj Bayer Leverkusenit, njofton tabloidi gjerman “Bild”, përcjell “Kosovalive”.

Futbollisti nga Suhareka kështu e arriti golin e gjashtë në 13 ndeshje në Bundesligë.

Ndërkohë, atë e ka lavdëruar trajneri i tij, Enrico Maasen.

“Në Gjermani ka shumë pak 9-sha më të mirë se Mërgimi që i kemi për momentin”, ka thënë trajneri i Augsburgut.

24 vjeçari është i huazuar nga Fenerbahçe në Augsburg, ndërsa shpreson të qëndrojë më gjatë në Gjermani.

Ndërkohë, ish-futbollisti i Salzburgut nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Kombëtare, ku luajti për grupmoshat U-21.

“Natyrisht, do të isha i lumtur nëse ftohem në Kombëtaren gjermane. E vetmja gjë në të cilën po mendoj është që ta jap 100 për qindëshin në fishën e blertë dhe të marr sa më shumë që mundem nga fusha e blertë”, deklaroi Berisha, i cili është njëkohësisht edhe objektiv i Kombëtares së Kosovës, por që prioritet e ka Gjermaninë.

Flick ka paralajmëruar befasi në listën e tij që do ta publikojë kah mesi i muajit mars, ndërsa Berisha mund të jetë njëri prej të ftuarve të selektorit të Gjermanisë, përcjell Kosovalive.

Berisha është lindur në Berchtesgaden të Gjermanisë dhe i ka zhvilluar 13 ndeshje me U-21, derisa e ka realizuar edhe një gol.

Nëse Mërgimi vazhdon të shënojë gola në javët në vazhdim, nuk do të jetë befasi nëse e shohim emrin e tij në mesin e të ftuarve për kualifikimet e Euro 2024. 

Shpërndaje në

U Kopjua