Live

Serbët në veri prej mëngjesit po përpiqen t’i marrin objektet e komunave

08:31 / 29 Maj 2023

Nga Kosova Live

Sot në mëngjes grupe protestuesish serbë janë tubuar para ndërtesave të kuvendeve komunali në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke tentuar që me dhunë të hyjnë në ndërtesa.

Mirëpo një numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it me pajisje për të shpërndarë demonstratat janë vendosur sot në mëngjes pranë ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Pas tyre qëndrojnë forcat e Policisë së Kosovës të cilët nuk i lejojnë serbët e grumbulluar të afrohen pranë objekteve raporton portali serb “Kosovoonline”.

Disa qindra serbë u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe kërkojnë tërheqjen e Policisë së Kosovës dhe kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë, serbët nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale dhe refuzuan të pranojnë përfaqësuesit shqiptarë në pushtet në komunat ku serbët përbëjnë më shumicën e popullsisë, përkundër asaj që me urdhrin e liderit të tyre suprem, Aleksandar Vuçiq, ata së pari i braktisën institucionet e më pas edhe i bojkotuan zgjedhjet, transmeton Paparaci.

Pjesëtarët e seksionit italian të KFOR-it ndodhen në hyrje të Mahallës së Boshnjakëve, ku janë stacionuar që nga orët e para të mëngjesit. Janë të pranishëm disa xhipa dhe kamionë me më shumë se 100 ushtarë.

Ekipi i “Kosovoonline”, i cili ndodhet në vend, raporton se afër komunës së Zveçanit janë të pranishëm edhe një numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it të kontingjentit polak, të cilët formojnë unazën e parë të “sigurisë” rreth ndërtesës komunale, në të cilën kryetar i ri i komunës u vendos të premten.

Pas pjesëtarëve të KFOR-it, afër vetë objektit komunal, janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua