Live

Sërish dështon të nisë gjykimi për korrupsion ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve për ryshfet

15:03 / 11 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Për shkak se mbrojtja nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, ka dështuar sërish të nisë gjykimi në rastin ku ish-prokurori Metush Biraj akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, kurse Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Mbrojtësi i Birajt, avokati Reshat Millaku kërkoi që seanca fillestare të shtyhet, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Propozimin e tij e mbështetën edhe mbrojtësi i të akuzuarit Pulaj, avokati Rinard Pulaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokati Korab Bokshi.

Lidhur me këtë, prokurorja speciale Shenaj Berisha tha se në shkresat e lëndës figuron shkresa se mbrojtja është pajisur me shkresat e lëndës, por tha se nuk ka e pasur një listë se me cilat prej tyre është pajisur, duke shtuar se do ta përmbushë obligimin e saj.

Andaj, Gjykata ka obliguar prokuroren që në afat prej shtatë ditësh të përmbushë obligimin e saj ligjor ashtu që ta pajisë mbrojtjen me të gjitha shkresat e lëndës.

Më pas, gjykatësi Lutfi Shala aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe seanca u shty për një ditë tjetër.

Ndryshe, edhe seanca e paraparë për 26 korrik kishte dështuar pasi nuk ishte i pranishëm askush nga Prokuroria Speciale.

Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024. aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, por për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të atij regjioni, Prokuroria këtë çështje për gjykim e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ky i fundit sipas tij ka hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.

Por, Gjykata e Apelit ka vendosur se kompetent për zgjidhjen e kësaj çështje penale është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.

Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.

Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.

Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.

Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.

Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet. Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...