Live

Shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit: Këshilli i Sigurisë aktivizon FSK’në dhe policinë për të siguruar objekte dhe shërbime të caktuara

08:40 / 30 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në orët e para të mëngjesit, pas shpërthimit të mbrëmshëm që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj, dhe se Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.

“Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Kurti ka kërkuar nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm, që thotë se ka shkaktuar dëmtime të mëdha.

 “Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”, citohet të ketë thënë Kurti.

Policia e Kosovës e ka quajtur akt kriminal terrorist shpërthimin e mbrëmshëm në Zubin Potok, që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër Lepencit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka thënë do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës.

Aty thuhet se hetimet fillestare tregojnë se ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv.

“Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit. Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...