Live

Shqipëria luan mirë por mposhtet nga Polonia

23:15 / 27 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ndonëse ka kërkuar golin deri në fund, Shqipëria është mposhtur në ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024. Të hënën mbrëma në Varshavë, kuqezinjtë pësuan 1:0 nga Polonia. Myrto Uzuni ka lëshuar rast të artë në minutën e 88-të. Ai gjuajti pranë portës nga afërsia. Kështu episodi vendimtar i ndeshjes ishte ai i minutës së 41-të. Në një aksion që nuk dukej i rrezikshëm, vendasit goditën shtyllën me gjuajte nga distanca.

Topi i kthyer nuk u largua nga zona dhe Karol Shwiderski përfitoi duke dërguar topin nën këmbët e Thomas Strakoshës. Te Shqipëria në këtë ndeshje ka debutuar selektori Sylvinho, ndërsa prej lojtarëve debutimin e fituan Jasir Asani e Anis Mehmeti, që hyri në vend të Asanit. Asani në pjesën e parë është dalluar me paraqitje, ndërsa edhe Mehmeti pati momentet e mira, ndonëse luajti vetëm prej minutës së 70-të.

Për Shqipërinë në pjesën e parë provoi Sokol Çikalleshi. Por goditjen e tij në minutën e 22-të e ndali portieri polak, Wojciech Szczesny. Portieri polak doli fitimtar edhe në minutën e 58-të, kur fillimisht ndali gjuajtjen e Myrto Uzunit e më pas edhe atë të Kristijan Asllanit. Asllani gjuajti jashtë portës në minutën e 62-të, ndërsa rastin më të mirë e lëshoi në fund Uzuni. Polonia në pjesën e dytë ka rrezikuar disa herë përmes Robert Lewandowskit, por në fund ishin lojtarët e Shqipërisë që kërkuan golin.

Por pa sukses. Polonia në ndeshjen e parë kishte pësuar 3:1 nga Çekia. Shqipëria pikët e para i kërkon 17 mars, kur në Tiranë luan ndaj Moldavisë. Paraqitja e së hënës në Varshavë jep shpresë të madhe për cikël të suksesshëm.

Shpërndaje në

U Kopjua