Live

Universiteti “Hasan Prishtina” hap dyert për studentët e vitit akademik 2022/23

16:43 / 03 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sot nisi viti akademik 2022/23. Studentëve të rinj, në pritje të veçanta në njësitë akademike të UP-së, iu uroi mirëseardhje rektori, prof. dr. Naser Sahiti, raporton KosovaLive.

Ndalesa e parë e rektorit, me rastin e këtij fillimviti, ishte Fakulteti i Arkitekturës, për të vazhduar më pas me fakultetet e tjera.
“Jam i lumtur që sot po ju uroj mirëseardhje në institucionin më të madh dhe lider të arsimit të lartë në vend. Ju ftoj që gjatë studimeve tuaja, të jepni më të mirën nga vetja dhe të mos dekurajoheni nga sfidat e vogla, por të njëjtat t’ju shërbejnë si motiv shtesë për të arritur realizimin e ëndrrave tuaja”, iu tha Sahiti studentëve të rinj.

I shoqëruar nga prorektorja për mësim dhe çështje për studentë, prof. dr. Mimoza Ibrani, rektori Sahiti ka vizituar edhe njësitë akademike, ku janë mbajtur provimet pranuese për regjistrim të studentëve në studimet master, me ç’rast u ka uruar suksese kandidatëve.

Provimet pranuese do të vazhdojnë edhe duke nisur nga ora 09:00.
Sivjet UP-së i janë bashkuar mbi 4 mijë e 100 studentë të rinj, në mesin e të cilëve 45% e tyre janë studentë me notë mesatare 5.0 të shkollimit të mesëm.

Shpërndaje në

U Kopjua