Live

Visar Korenica i qon “selam” kryeministrit Kurti me një video

15:42 / 16 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Si rezultat i kundërshtimit të projekt-kodit civil shkaku i martesave të gjinive të njejta, një grup deputetësh dhe zyrtarë të Vetëvendosjes nëpër degë të ndryshme të partisë janë penalizuar. Disa nuk janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet e brendshme partiake, ndërkohë disa janë shkarkuar nga pozitat që kanë mbajtur.

I tillë është rasti me deputetin e Vetëvendosjes, Visar Korenica, i cili ka konfirmuar se udhëheqësia e partisë e kanë larguar nga pozita e koordinatorit të Degës në Rahovec shkaku i qëndrimit për projekt-kodin civil, konkretisht martesat e gjinisë së njejtë.

Korenica sot ka publikuar një video të një deputeti kroat të Parlamentit Evropian i cili ka kërkuar falje Kosovës që i ka kërkuar shtyrjen përpara të një ligji të tillë duke thënë se “martesa e gjinisë së njëjtë nuk është standard evropian” dhe se “nuk është parakusht kjo gjë për t’u integruar në BE”.

Në mbishkrimin e videos, Korenica ka shkruar “E vërteta mbetet e vërtetë pavarësisht shtrembërimeve të qëllimshme”.

“Kodi Civil (martesa e gjinisë së njëjtë), Deputeti i Parlamentit Evropian kërkon falje publike në emër të gjithë atyre që bën presion që ky projektligj të mbështetet.  As nuk është parakusht e as kriter për rrugën drejtë integrimit euro-atlantik”, ka shkruar ai në Facebook.

Qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë pro këtij kodi civil.

Por një grup i deputetëve të pushtetit votuan kundër, duke e pamundësuar kalimin tutje të Kodit Civil.

Pas shkarkimit të Korenicës nga pozita e koordinatorit në Rahovec disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojtje atij, duke vënë në pah divergjencat e thella ideologjike të deputetëve të grupit më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Ballina