Live

Votat e diasporës: 868 persona kanë votuar më shumë se një herë

20:07 / 27 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës.

Deri më tani janë identifikuar 868 raste të votimit të shumëfishtë, ku një person ka votuar më shumë se një herë, madje në disa raste deri në 10 herë.

Përveç kësaj, 19 persona të tjerë janë zbuluar se kanë votuar fizikisht në ambasada, por njëkohësisht kanë dërguar votën edhe përmes postës, duke e shkelur ligjin zgjedhor.

Çfarë thotë ligji?

Sipas Nenit 213 të Kodit penal të Kosovës, keqpërdorimi i të drejtës së votimit është një vepër penale dhe dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet për këdo që:

Voton ose tenton të votojë në emër të një personi tjetër;

Voton ose tenton të votojë më shumë se një herë;

Shfrytëzon më shumë se një listë votimi.

Ndërsa, anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor që lejojnë apo ndihmojnë një person të kryejë këto vepra, mund të dënohen me 3 deri në 5 vjet burgim.

Ky skandal ka ngritur shqetësime të mëdha për integritetin e procesit zgjedhor.

Prokuroria pritet të marrë masa për hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Shpërndaje në

U Kopjua