Mëngjesi i së shtunës, sikur çdo 48 orësh paraprak, Kuvendin e Kosovës e gjeti të mbushur plot, por pa ndonjë efekt.
Deputetët e zgjedhur të kësaj legjislature, e cila ende nuk është konstituuar, u futën për të marrë pjesë në vazhdimin e 49-të të seancës konstituive.
Aty hyri e nominuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, por jo edhe Fatmir Limaj i Nismës, i cili po e synon pikërisht postin e të parit të legjislativit.
Albin Kurti nuk tregoi nëse do ta sakrifikojë bashkëpartiaken, raporton KlanKosova.
Se a do të ketë zgjidhje, nuk folën as të tjerët nga partia e Kurtit, e dikush parashikoi se kështu pikërisht do të kryhet edhe takimi Kurti-Limaj, i cili u mbajt në orët e pasdites në një restorant në Prishtinë.
Megjithatë, shpresa e kolegëve të Limajt është që ai të bëhet kryeparlamentar.
Këta presin vota edhe nga deputetët e partive të tjera, që Limaj të arrijë deri të karrigia e kryeparlamentarit.